Meta: Çdekretimi i 30 qershorit kushtetues dhe në fuqi

TË FUNDIT

Meta fton partitë në zgjedhjet e 13 tetorit

Në ditën kur mazhoranca pritet të mblidhet në seancë të posaçme për të votuar ngritjen e komisionit hetimor për Ilir Metën, presidenti ka dalë mëngjesin e kësaj të hëne me një qëndrim për situatën ligjore mbas 30 qershorit dhe zgjidhjen e krizës.

Presidenti i Shqipërisë thotë se akti i tij për çdekretimin e 30 qershorit është mbështetur tërësisht në dispozitat e Kushtetutës dhe bazuar në argumente plotësisht Kushtetues.

Por sipas Kreut të Shtetit, dekreti për anulimin e datës 30 qershor si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor.

Sipas Presidentit, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Meta thotë se rrëzimi i padisë së Partisë së Unitetit Kombëtar nga Kolegji Zgjedhor nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës.

“Në këtë vendim 3 anëtarë të Kolegjit Zgjedhor në disa rreshta të pjesës arsyetuese kanë dhënë intepretimin e tyre për veprimtarinë e KQZ-së lidhur me Dekretin e Presidentit. Ky arsyetim është një përpjekje e shëmtuar, një truk procedurial për të krijuar publikisht një imazh të ndryshëm nga fakti, pasi vendimi që Kolegji Zgjedhori mori, nuk cenoi aspak Dekretin e Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019.

Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor nuk ka urdhëruar në dispozitivin e tij asnjë detyrim që të krijojë pasoja juridike mbi Dekretin dhe Institucionin e Presidentit të Republikës, e rrjedhimisht edhe mbi faktin e anulimit të datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve”.

Për Kreun e Shtetit, e gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike,

“Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor të datës 30 qershor, nuk është prekur dhe nuk është cenuar deri në ditët e sotme nga asnjë Gjykatë vendase dhe ndërkombëtare, rikonfirmohet dhe një herë fakti se, ky akt i Presidentit të Republikës i bazuar tërësisht në argumente Kushtetues është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Për pasojë e gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave data 30 qershor 2019, nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Presidenti nënvizon gjithashtu se Kolegji Zgjedhor në Shqipëri përbëhet nga gjyqtarë dhe nuk ka për kompetencë të shqyrtojë as pretendimet e Presidentit të Republikës dhe as Dekretet e nxjerra prej tij.

Në këtë mënyrë, krahasimi që u bëhet dy Kolegjeve Zgjedhore (amerikan dhe shqiptar) nuk qëndron dhe është tërësisht i gabuar, thotë ai.

Duke kujtuar dekretin për caktimin e datës së re të zgjedhjeve, Meta thotë se ky akt ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

“Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë caktohen për t’u zhvilluar ditën e diel, në datën 13 tetor 2019” dhe do të mbahen ligjërisht në këtë datë. Ky akt ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Ky akt i është përcjellë menjëherë për zbatim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Duke vënë në dukje këtë situatë të qartë ligjore se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, Presidenti i Republikës i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit .

Po kështu, duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës.

“Është koha për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve të Shqipërisë”, përfundon Meta./oranews