Së pari Risto Penov, e më pas edhe Trifun Kostovski e promovoi idenë për tramvaj në Shkup. Gjatë kohës kur kryetar i Qytetit të Shkupit ishte Kostovski, deri në vitin 2009, ky projekt e kaloi vetëm fazën e parë, përkatësish është definuar se ku do të jenë trasat. Kostovski mandatin e mbaroi me akuza se ka qenë i penguar në realizimin e këtij projekti, ndërsa të njëjtën gjë e pohonte edhe në janar të këtij viti.
“Projekti tramvaj aspak nuk është punë e tyre dhe unë e lash në fazën e parë. Duhej të realizohej në tre faza. Trasetë u definuan vetëm duhej të vërtetoheshin stacionet. Kjo është arsyeja pse unë si kryetar nuk preka as një denar të vetëm nga ato 7, 8 milion euro që mbetën në fund të mandatit, duke pritur të paraqitet kompani, për shkak se u patëm dakorduar paraprakisht me disa kompani të caktuara që bëjnë projekte të tilla, por ata kompani u frikësuan nga pushteti i atëhershëm për shkak se unë isha kryetar në largim, se ato do ta pengojnë atë projekt”, kishte deklaruar Trifun Kostovski.
Tramvaji ishte premtim edhe në zgjedhjet lokale të ish-kryetarit të Shkupit, Koce Trajanovski, i cili ishte në këtë funksion që nga viti 2009 deri në vitin 2017. Trajanovski, fillimin e realizimit të projektit e paralajmëroi që nga nëntori i vitit 2011.
“Ky është projekt shumë i rëndësishëm për Shkupin. D.m.th. ndërtimi i linjës për tramvaj, në gjatësi prej 15 kilometrave, nga Novo Lisiçe deri në Gjorçe Petrov. Analizat tregojnë se ky është investim i mirë”, thoshte vite më parë Koce Trajanovski.
Edhe kryetari i tanishëm , njëjtë si në fushatën parazgjedhore edhe tani pohon se tramvaji është ende në plan. Në janar të këtij viti tha se seriozisht po punohet në realizimin e projektit.
“Qyteti i Shkupit gjatë vitit të kaluar seriozisht ka punuar për mundësinë, përkatësisht për përgatitjen e dokumentacioneve cilësore që qyteti të filloj me realizimin e projektit për transport me tramvaj. Pres që deri në fund të shkurtit të definojmë burimet e financimit së bashku me Qeverinë, me qëllim që të filloj ndërtimi i transportit me tramvaj në qytet”, deklaroi Petre Shilegov.
Para disa ditëve edhe kryeministri Zoran Zaev, në seancën për pyetje deputetësh, paralajmëroi se një nga masat kundër ndotjes së ajrit do të jetë vendosja e tramvajit.
