“90 mijë nxënës nuk do të fillojnë vitin shkollor”! Carovska: Nga korona nxënësit u mësuan të kyçen-shkyçen në platformë

TË FUNDIT

Jo 40 mijë, por 90 mijë nxënës priten që nesër të mos e fillojnë vitin shkollor, kjo për shkak se nuk kanë laptopë ose kompjuterë, ndërkaq mësimin duhet ta ndjekim nga distanca. Këto të dhëna i kumtuan nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme të cilët dhanë edhe ultimatum. Thonë nëse nga nëntori situata me Kovid-19 qetësohet, nxënësit të rikthehen në banka shkollore, në të kundërtën paralajmërojnë radikalizim nëse dështon viti shkollor.


“Informatat që i kemi i bie se e i kemi mbi 80 mijë ose 90 mijë nxënës që nuk do të kenë mundësi që ta ndjekim mësimin për shkak të mungesës së laptopëve.// Mos të vijmë në një situatë ku do të dështojë viti shkollor, dhe në atë moment, ja ku e them, si lider i nxënësve do të ketë edhe radikalizim nga ana e nxënësve”, u shpreh Blendi Hodai – Kryetar i UNSHM-së.

Por autoritetet arsimore nuk zgjedhin të marrin përgjegjësi në rast se në platformë sërish shfaqet “error” dhe ndërpritet mësimi.  Thonë nuk mund të flasim për vit shkollor të dështuar, pasi vlerësojnë se nëse asgjë tjetër nuk kemi mësuar nga pandemia, mësuesit dhe nxënësit janë mësuar të kyçen dhe shkyçen në platformë.


“Në vitin 2021 – 2022, nëse nuk kemi koronë, këto nxënës tanë dhe mësuesit do të kenë aftësi digjitale. Dikush prej tyre me më shumë aftësi, dikush me më pak. Por kanë kaluar një vit duke u përballur me digjitalizim. Kyçje, shkyçje, mësuan, shikuan mësim. Kështu unë nuk konsideroj se ka opsion për vit shkollor të pasuksesshëm 2020 -2021”, theksoi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkohë, krijuesit e platformës nga  Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike sigurojnë, se mbingarkesa e platformës nuk do të paraqet problem për procesin mësimor.


“Përfundimisht, Microsoft teams do të mund të përballojë ngarkesën e më shumë përdoruesve”, tha Borko Jakimovski – Prodekan i FSHIIK.

Carovska komentoi edhe paralajmërimet se nesër do të ketë bojkot të mësimit online.

Sipas saj prindërit duhet të kuptojnë situatën dhe të respektojnë vendimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse.

Ndërkaq Carovska paralajmëroi se po shqyrton mundësinë që të subvencionohet prindërit fëmijët e të cilëve nuk kanë pajisje për të ndjekur mësimin online. Propozoi, që deri te kjo masë, nxënësit të mësojnë nga kanalet e Radiotelevizionit të Maqedonisë dhe të koordinohen me mësuesit për t’ua dërguar materialet në shtëpi.