Bekteshi: Ndihma evropiane prej 80 milionë euro për qytetarët më të cenueshëm, kompanitë mikro dhe të vogla
Vendi do t’i shfrytëzojë 80 milionë eurot nga Bashkimi Evropian me shumë gjasa si mbështetje e drejtpërdrejtë për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve dhe për ndërmarrjet mikro dhe të vogla.
Siç bëri të ditur sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, dje janë dorëzuar propozimet nga ana jonë në Komisionin Evropian (KE), ndërsa deri nesër pritet një përgjigje.
“Dje janë dorëzuar propozimet tona në KE, deri nesër sigurisht që do të kemi një përgjigje, ndërsa me shumë gjasa fondet do të jenë mbështetje e drejtpërdrejtë për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve dhe për kompanitë mikro dhe të vogla deri në përfundimin e gjendjes së shpallur të krizës deri në fund të prillit”, tha Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit me përfaqësues nga industria e furrave të bukës.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajeni, e cila dje ishte për vizitë në vend, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevskin njoftoi se nga pakoja e ndihmës së BE-së për rajonin, 80 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut.
