80 milionë euro ndihmë nga BE-ja, për Maqedoninë! Gir: E rëndësishme për qytetarët për ballafaqim me krizën

TË FUNDIT

Bashkimi Europian ndihmon Maqedoninë e Veriut me 80 milionë euro për ballafaqim me krizën energjetike. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe euroambasadori Dejvid Gir në Qeveri e prezantuan këtë grant si shumë të rëndësishëm për vendin tonë për tejkalimin e krizës.

“Ky grant është mbështetje për subvencionet e qytetarëve për faturat e energjisë elektrike, mbështetje për kompanitë e vogla dhe të mesme për të ruajtur vazhdimësinë e biznesit, si dhe mbështetje për investimet shtetërore për tranzicionin energjetik, burimet e rinovueshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik. Kjo ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian, përveç që është më e madhja në rajon në krahasim me madhësinë e vendeve, është më shumë se ndihmë financiare, është shenjë e aleancës dhe shenjë e miqësisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

BE dëshmon edhe një herë se është këtu për qytetarët e RMV-së kur bëhet fjalë për krizën duke treguar gjest të solidaritetit, tha euroambasadori Gir, duke shtuar se ndihma është tepër e rëndësishme për qytetarët, kompanitë dhe investimet e reja.

“Kontributet tona mbulojnë kategoritë më të brishta, rreth 172,000 persona, pensionistët, prindër vetushqyes, të papunë në nevojë për mbrojtje sociale, 4,200 familje në nevojë, 47,000 kategori të rrezikuara të qytetarëve, 79,000 konsumatorë të vegjël, 474 shkolla, 67 ndërmarrje publike që sigurojnë ujë”, theksoi Dejvid Gir, ambasador i BE-së në RMV.

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Lajen në tetor të vitit të kaluar gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Fronteks e pati paralajmëruar këtë ndihmë prej 80 milionë eurove për ballafaqim me krizën energjetike.