Pas shtatë vjet e dhjetë muaj premtim, në Tetovë arritën autobusët për transport urban. Kryetarja e Komunës së Tetovës bashë me ministrin e Financave Fatmir Besimi, gjatë ditës së sotme promovuan pesë autobusët që janë blerë me një kredi të bankës botërore për investim ku Komuna Tetovës ka marrë një kredi prej 1.2 milion eurosh, ndërsa vlera e autobusëve kap vlerën prej 720 mijë eurosh.
Ministri i Financave tha se Komuna e Tetovës këtë kredi e ka marrë për një periudhë 13 vjeçare të shlyerjes me normë interesi prej 3%.
“Bëhet fjalë për një kredi mjaft të volitshme 13 vjeçare me një grejs periudhë 3 vjeçare dhe një normë të interesit prej 3%. Në rastin konkret komuna ka aplikuar dhe i është aprovuar një verë prej 1.2 milion eurosh, mirëpo gjatë transparacës dhe efiçencës komuna ka kursyer dhe janë paguar vetëm 720 mijë euro”, deklaroi Fatmir Besimi – Ministër i Financave.
Kryetarja e Komunës së Tetovës tha se transporti urban u bë një realitet dhe këtë pasuri do ta kemi aq kohë sa edhe do të jemi të përkushtuar që ta ruajmë.
“Sot qëndrojmë bashkë përpara jush, për të dëshmuar me shumë krenari se Tetova po bëhet me transport të organizuar urban. Qyteti të cilin e duam dhe për të cilin punojmë me shumë përkushtim, sot po përjeton të mirat e një organizimi të mirëfilltë institucional, ku qytetari ka të drejtën dhe mundësinë për të zgjedhur destinacionin, rrugën dhe adresën finale, me komoditetin e një transporti ku ai nis vetë dhe arrin për tu bërë bashkë me familjarët, shokët dhe të afërmit e tij. Ky projekt kapital, kërkonte jo vetëm një vizion të vetëm, por edhe një punë ekipore mes atyre që besuan dhe punuan për ta bërë atë realitet”, u shpreh Teuta Arifi – Kryetare e Komunës së Tetovës.
Edhe pse pesë autobusët u sollën, transporti urban nuk do të fillojë të funksionojë menjëherë pasi që këshilli komunal do të duhet të vendosë për çmimin e biletave dhe itinerarin që do të ndjekin.
“Tendenca jonë është që ato të jenë në funksion shpejt, mirëpo duke patur parasysh se jemi akoma në një periudhë të ndjeshme të epidemisë dhe shpresoj se së shpejti do të jenë në funksion. Me rëndësi është që ne i kemi kryer proceset”, potencoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Pesë autobusët janë të markës ISUZU ndërsa kanë të instaluar një motor Eko 6 pra janë edhe ekologjikë. Autobusët mund të shfrytëzohen edhe nga persona me nevoja të veçanta fal mekanizmit të posaçëm që kanë.
