8 të punësuar në një zyre/ Ndërmarrja “Mali Sharr” pa hapësira adekuate

TË FUNDIT

Parku kombëtar “Mali Sharr” është duke funksionuar, por me 8 të punësuar të cilët për momentin të gjithë punojnë në një zyrë të vetme. E drejtori i ndërmarrjes “Mali Sharr”, thotë se kjo po u shkakton vështirësi.

“Vështirësitë sigurisht edhe ju e shihni se ne kemi adaptuar këtë. Këtu jemi të gjithë me një zyrë të, gjithë të punësuarit me një zyrë, pasi që hapësirat që janë nda me propozim të Qeverisë dhe “Elem Tursin”. Duhen të rregullohen dhe ne na duhet dhe një kohë që të punojmë me një zyrë, që të adaptojmë hapësira tjera edhe të punojmë normal.”- deklaroi Ibrahim Dehari, drejtori i ndërmarrjes “Mali Sharr”.

Pjesëtarët e kësaj ndërmarrje janë në terren për të dhënë informacione për aktivitetet e lejuara dhe të ndaluara në parkun kombëtar, për çka është duke u përgatitur edhe material informues.

“Sigurisht se një kohë të gjatë unë mbeta i vetëm në këtë institucion si drejtor, por pas asaj periudhe, erdhi momenti që të bëjmë edhe punësimet e para. Kështu që kemi dy drejtues në administratë, jurist, ekonomist, dy të tjerë që janë një inxhinier pylltarie por kemi edhe katër renxherët e parë, pra mund të themi se kemi filluar të funksionojmë me këta kapacitete njerëzore që kemi. Ne jemi të gatshëm që të ofrojmë shërbimet për qytetarët, banorët rezident dhe për kërkesat për masën drurore dhe nevojat tjera që i kanë qytetarët.”- tha deklaroi Ibrahim Dehari, drejtori i ndërmarrjes “Mali Sharr”.

Parku kombëtar Mali Sharr, është i pari që themelohet pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut, sepse tre parqet tjera janë krijuar në kohën e ish-Jugosllavisë. Ka një marrëveshje, që në tre vitet e para, qeveria e Maqedonisë së Veriut të ndihmojë këtë ndërmarrje që e njëjta të mund të mbijetojë. Përmes dy donatorëve janë siguruar mjete për të rregulluar zyrat dhe për të vendosur tabelat informuese nëpër pyje. Vitin e kaluar qeveria kishte ndarë gjithsej 6 milionë denarë për punësime dhe për harxhime tjera. Problem në vete është se ministri i ambientit në dorëheqje Naser Nuredini nuk e ka nënshkruar planin për menaxhim për Malin Sharr dhe pa atë plan nuk mund të merren hapa konkret.