8 persona viktima të trafikimit me njerëz, viktima më e re është vetëm 10 vjeç

TË FUNDIT

Trafikim seksual, trafikim me njerëz, shitje organesh, martesa të detyruara, eksploatim. Në shumicën e rasteve viktima janë fëmijë. Nëse deri para 10 vjetëve viktimat ishin fëmijë në moshën mbi 16-vjeçare, tani kufiri është nga 10 vjeç e sipër. Kjo vjen si rezultat i përdorimit të pakontrolluar të internetit, tregon hulumtimi i Shoqatës “Porta e Hapur”.

“Sivjet kemi 8 viktima të trafikimit me njerëz. 7 prej tyre janë të mitur, gjegjësisht fëmijë. Kjo situatë tregon se kriminelët synojnë pikërisht grupin i cili përdor internetin në masë më të madhe, kurse është më pak i informuar për rreziqet që dalin nga interneti”, tha Magdallena Nestorovska, sekretare shtetërore në MPB.

Viktima më e re ishte në moshën 10-vjeçare. Për momentin “Porta e Hapur” u jep ndihmë 6 personave-viktima të trafikimit me njerëz, të gjithë fëmijë.

“Fëmijët janë kategoria më e rrezikuar, ata manipulohen, detyrohen me forcë, kërcënohen, detyrohen të kryejnë veprime online që nuk janë adekuate për moshën e tyre. Video të këtilla ndonjëherë shpërndahen “live” nëpër faqe pornografike, e ndonjëherë edhe mes shokëve. Video të këtilla po përhapen mes fëmijëve, video këto të cilat janë incizuar nga vetë fëmijët dhe të cilat arrijnë deri te “sajtet” të cilat pastaj duke përdorur kërcënime të ndryshime i detyrojnë fëmijët të kryejnë veprime të pahijshme. Pastaj videon në fjalë ua shesin ose rishesin faqeve të caktuara”, tha Jasmina Dimishkovska-Rajkovska, drejtoreshë ekzekutive e “Portës së Hapur”

Është bërë edhe ndryshim i Kodit Penal, me çka dënimi i fundit që është shqiptuar është  burg mbi 17 vjet për kriminelin që ka kryer veprën “trafikim me njerëz”. Numri ku mund t’i denonconi përpjekjet që kanë të bëjnë me trafikim me njerëz ose të merrni këshilla nga stafi profesional lidhur me atë se si të mbroheni nga kjo dukuri është 0800 11-111.