78 mijë ankesa për ndihmën e njëhershme, Arsovski: Bankat të kenë tolerancë ndaj qytetarëve me llogari të bllokuara

TË FUNDIT

Gjithsej 78 mijë ankesa kanë arritur deri te Qeveria nga qytetarë që nuk e kanë marrë ndihmën financiare prej 6000 denarëve me pakon e katërt. Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski siguron se ndihmën do ta marrin të gjithë ata që e meritojnë.

“Edhe pse ligji nuk e obligon Qeverinë, duhet thënë se ankesat janë përpunuar në afat rekord, ndërsa bëhej fjalë për rreth 78 mijë ankesa. Të gjithëve që kanë dorëzuar ankesë, do t’u përgjigjet përmes adresës elektronike që e kanë dhënë gjatë dorëzimit të ankesës. Përditësohen edhe listat e ueb faqes ’kupuvamdomasno.gov.mk‘, ku do të mund t’i verifikojnë të dhënat.” – deklaroi Dushko Arsovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Për qytetarët me llogari të bllokuara , Arsovski tha se bankat me mundësi teknike, qytetarëve u kanë hapur nënllogari për ta marrë ndihmën. Ai theksoi se Qeveria pret tolerancë nga ana e bankave gjatë ditëve në vijim derisa nuk përfundon pagesa e ndihmës.

Asociacioni bankar i Maqedonisë njofton se bankat kanë arritur të lëshojnë para rreth 90% të qytetarëve të cilëve u takon ndihma financiare prej 6 mijë denarëve, ndërsa për t’i paguar paratë e tjera, insistojnë të ketë ndryshime ligjore me të cilat do të lëviznin afatet për pagesë të ndihmës.

Anëtaret tona – bankat, njëjtë si deri më tani, janë të gatshme me të gjitha resurset e tyre të dalin në ndihmë projekteve me interes publik, veçanërisht projekteve të dedikuara për qytetarët e kategorive të rrezikuara. Çdo herë, aktivitetet duhet të zhvillohen në kornizë të rregullave ligjore. Në atë kuptim, pas skadimit të afateve ligjore, për t’u realizuar pagesa të gjithë qytetarëve të cilëve në periudhën e kaluar nuk u është paguar mbështetja financiare, duhet të bëhen ndryshime të Ligjit për mbështetje financiare me qëllim që afatet aktuale të zëvendësohen me afate të reja më të gjata.” – thonë nga Asociacion Bankar i Maqedonisë.

Përndryshe, paratë e pakos së katërt paguhen në xhirollogaritë e qytetarëve të cilët mjetet mund t’i marrin edhe nga bankomatet. Nga Qeveria njoftuan se kësaj here nuk ka limit për shfrytëzimin e këtyre parave,  siç ishte me ndihmën që e morën me pakot e tjera.