Nga 771 teste të bëra, në 24 orët e fundit kanë rezultuar 62 të infektuar me koronavirus. 24 raste të reja janë regjistruar në Shkup, 14 në Shtip, 12 në Tetovë, 4 në Strugë, 3 në Gostivar, 2 në Kumanovë dhe nga 1 në Veles, Koçan dhe Vallandovë.
Mes të infektuarve është edhe deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekiri me familjen e tij.
“Unë bashkë me bashkëshorten dhe vajzën tre muajshe kemi rezultuar pozitiv në testimin për COVID-19. Fatmirësisht unë jam pa asnjë simptomë por kam rezultuar pozitiv. Ju bëj thirrje të gjithëve, mos e neglizhoni mundësinë nga infektimi dhe të jeni të kujdesshëm. Nëse keni ndonjë shenjë edhe më të vogël dyshimi mos hezitoni të vizitoni mjekun amë dhe ti nënshtroheni testimit”, ka shkruar Zekiri.
COVID-19 ka prekur edhe sportistët e vendit. 4 pjesëtarë të klubit “Renova” dhe 2 të “Shkëndisë” kanë rezultuar pozitiv me virusin.
“Informacionin e morëm mbrëmë vonë, por pritëm edhe ri testimin. Prandaj trajnimet e sotme në këto dy klube janë anuluar. Emrat e të prekurve janë përcjellë tek KF “Renova” dhe KF “Shkëndija” gjatë ditës. Ata pozitiv me COVID-19 menjëherë do të futen në vetëizolim dhe karantinë shtëpiake. Nesër vazhdojmë me testimin në ekipet e tjera të ligës së parë”, thonw nga Sindikata e futbollistëve të Maqedonisë.
Klubi Shkëndija ka konfirmuar se dy anëtarë e sajë kanë rezultuar pozitiv në COVID-19.
Ndërkaq të dhënat e 24 orëve të fundit tregojnë se dy pacientë kanë humbur betejën me Covid-19. Njëra viktimë është nga Gostivari e tjetra Struga.
Instituti i Shëndetit Publik brenda 24 orëve të fundit ka regjistruar 17 pacientë të shëruar. Sipas qyteteve, në Tetovë janë shëruar 9 persona, në Shkup 5 dhe nga 1 në Kumanovë, Manastir dhe Gostivar.
Që nga fillimi i pandemisë deri më tani në Maqedoni janë regjistruar 2.226 të prekur me koronavirus, prej të cilëve 1.552 janë shëruar, kurse 133 kanë ndërruar jetë. Për momentin janë 541 raste aktive.
