Me 61 vota “për” të shumicës parlamentare, Fadil Zendeli u shkarkua nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Opozita në mënyrë demonstrative e lëshoi sallën.
“Konstatoj se Kuvendi e solli vendimin për shkarkimin e anëtarit të Komisionit për zgjedhje dhe emërime pranë Kuvendit të RMV-së”, njofton Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Në sallën u kthye koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski i cili i kërkoi Xhaferit përgjigje se çfarë ka ndodhur me 400 amendamentet e tyre që i kanë dorëzuar të martën pasdite.
“Demonstroni fuqi dhe mbi fuqi, megjithatë e gjithë kjo në stilin tuaj do tu kthehet në kokë. Nuk dhatë përgjigje çfarë u bë me mbi 400 amendamente që janë dërguar nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së deri te Arkivi dhe janë pranuar në mënyrë të rregullt. Sjellja si autokratë e dinë fort mirë se ku i ka dërguar disa. E ju të gjithë duhet të mendoheni në vend që të qeshni dhe të mendoni se për momentin keni mbi fuqi në punën e Kuvendit, paramendoni se gati gjysma ose numri i njëjtë i deputetëve të palës tjetër nuk kanë të drejtë të tillë”, tha Micevski.
“Amendamentet i keni parashtruar siç pohoni, por Kryetari i Kuvendit ka afat 3 ditë që t’i shqyrtojë dhe sigurisht ai afat nuk ka kaluar. Dhe siç thatë, për shkak të numrit të amendamenteve, duhet të kontrollohen të gjithë amendamentet dhe në afatin e dhënë do të merrni përgjigje adekuate”, deklaroi Xhaferi.
Pas kalimit të deputetit dhe anëtarit të Komisionit, Fadil Zendelit, në opozitë, pushteti humbi shumicën në Komision, që sipas Rregullores duhet t’i takojë shumicës parlamentare. Kryeparlamentari paraprakisht i bëri thirrje Zendelit që të dorëzojë vet dorëheqje nga Komisioni, por ai nuk e bëri këtë gjë.
