Masa e vetëpunësimit ka shënuar rekord, me 6,045 aplikime të dorëzuara, që është provë se qytetarët kanë dëshirën, njohuritë dhe besimin për të ndërtuar biznesin e tyre – tha kryeministri Hristijan Mickoski. Për shkak të interesit të madh, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, së bashku me Agjencinë e Punësimit i propozuan Qeverisë një rishikim të Planit, i cili siguroi 300 milionë denarë shtesë, prej të cilave 161 milionë nga ribalancimi, në mënyrë që asnjë sipërmarrës potencial të mos mbetet pa shans.
“U shpërndanë shtesë edhe 300 milionë denarë, me çka nëpërmjet ribalancit të buxhetit u ndanë edhe 161 milionë denarë në mënyrë që asnjë sipërmarrës potencial të mos mbetet pa shans. Kjo masë është edhe instrument i fortë në luftën tonë strategjike kundër papunësisë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Nga 6,045 aplikimet, 3,296 janë nga të rinj nën 29 vjeç, gjë që është veçanërisht pozitive, vlerëson ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi. Ndihma financiare është rritur ndjeshëm: 7,000 euro për personat mbi 29 vjeç dhe 10,000 euro për të rinjtë nën 29 vjeç.
“Si e dyta shikohet se çfarë lloj të veprimtarisë do të kryejnë, për shembull nëse është prodhim, ka përparësi në krahasim me veprimtaritë apo punët e tjera, pra do të kenë përparësi këto nëse për shembull e krahasojmë më tregti”, tha Durmishi.
Drejtori i Agjencisë për Punësim thotë se përveç ndihmës financiare ofrohet edhe ndihmë profesionale, mentorim dhe udhëzime për drejtimin me sukses të biznesit.
“Në vitin 2025 ne gjithashtu mundësuam bashkimin e dy përfituesve në SHPK dhe mbështetja financiare arrin në 20 mijë euro, varësisht nga grupet e synuara.”, deklaroi Selatin Beluli nga Agjencia për Punësim.
Për Planin Operativ të këtij viti janë ndarë 40 milionë euro, që është 7.5 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Këto fonde pritet të mbulojnë 16.507 persona. Ndërkaq për start-up-et nëse nuk arrijnë ta mbajnë biznesin që hapin për dy vite ose vendosin të ndërpresin marrëveshjen, vitin e parë duhet të kthehen 80% e mjeteve, ndërsa në vitin e dytë 60%.
