6 të dyshuar për kontrabandë dhe ndërhyrje me botoks dhe fillerë janë dërguar në paraburgim, ndërsa 4 të tjerë në arrest shtëpiak

TË FUNDIT

Gjashtë persona të dyshuar për kontrabandë dhe ndërhyrje estetike me fillerë dhe botoks të rremë janë dërguar në paraburgim, ndërsa për katër të tjerë është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Për nëntë personat e tjerë të arrestuar janë caktuar masa kujdesi.

“Nga 11 propozimet e paraqitura për caktimin e masës së paraburgimit, Prokuroria, pas marrjes në pyetje të të dyshuarve, për dy persona e ndryshoi propozimin në arrest shtëpiak, prej të cilëve gjykata njërin e pranoi, ndërsa tjetrin e refuzoi dhe i caktoi masa kujdesi. Nga 9 propozimet e mbetura për paraburgim, gjykata pranoi 6 dhe refuzoi 3, duke u caktuar këtyre të fundit masën e arrestit shtëpiak. Në total, nga ky aksion në të cilin janë propozuar edhe masa kujdesi, gjykata caktoi paraburgim efektiv për 6 persona, arrest shtëpiak për 4 dhe masa kujdesi për 9 persona, njoftoi sot Gjykata Penale.

Në aksionin e realizuar në Shkup, Strumicë dhe Manastir u arrestuan disa persona të dyshuar për kontrabandë dhe ndërhyrje estetike me fillerë dhe botoks të rremë. Mes tyre ka edhe mjekë nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” dhe Klinika e Dermatologjisë në Shkup.