“55 milionë euro investim në Rusinon” – do të bëhet me makineri për mirëmbajtje

TË FUNDIT

Ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, vizitoi ndërmarrjen “Rusino-Pollog”, ku realizoi takim me drejtorin e kësaj ndërmarrje Sazan Horvati, ndërsa pas takimit, vizituan deponinë e Rusinos, që shërben 9 komuna të Pollogut, me 184 vendbanime dhe 322 mijë banorë, transmeton TV21.

Mexhiti u zotua se në muajin mars do ketë rezultate konkrete ku kompania Rusino do të përfitojë mekanizma për mirëmbajte nga kredia e Bankës Botërore me vlerë prej 55 milionë euro.

“Besoj që fillim të vitit diku nga muaj mars që deponia të pajiset me pajisje që tani ka me tenderim dhe e rëndojnë shumë deponinë dhe nga marsi e andej ideja është që të gjithë ata pajisje do t’i ketë si pronë të vetën që dukshëm do të ndikon në organizimin, edhe financiar edhe me menaxhimin e deponisë. Me të njëjtën kredi është paraparë që edhe ndërmarrjet tjera të nëntë komunave të pajisen me kamion me pajisje tjera që do ngrenë nivelin e këtyre ndërmarrjeve”, tha Izet Mexhiti, ministër i Mjedisit.

“Sot patëm një takim dhe i informova rreth problemeve që hasim gjatë punës dhe planeve për vitin 2025. Realisht kemi probleme me grumbullimin e mjeteve financiare. Bëjmë takime të vazhdueshme me drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe shpresojmë të fillojnë të mbulohen. Borxhlinjtë më të mëdhenj prej 19 milionë denarësh janë Tetova dhe Gostivari, konkretisht ndërmarrjet publike. Kompania e re e formuar në Tetovë është shumë e rregullt me pagesa por jo edhe ndërmarrja publike komunale”, tha Sazan Horvati, drejtor i Ndërmarrjes Rusino – Gostivar.