Edhe 50 shtetas maqedonas me familjet e tyre presin që të evakuohen nga Ukraina në vendin tonë, mes tyre është edhe një foshnjë pesëditëshe. Familja e foshnjës këtë paradite u largua nga Kharkiv përmes konvojit të OSBE-së. Një pjesë e shtetasve maqedonas gjenden në Kiev, por edhe në Kharkiv i cili ditëve të fundit është shënjestër i sulmeve të ashpra.
Në Ukrainë para fillimit të aktiviteteve ushtarake gjendeshin 100 shtetas tanë dhe deri më tani përmes korridoreve të sigurisë, kryesisht të organizuar nga Bullgaria, janë evakuuar gjysma e tyre. Po bëhen përpjekje që edhe përmes trenit turk i cili është dërguar për evakuimin e shtetasve të tyre, të evakuohen edhe shtetasit tanë. Gjithashtu edhe disa vozitës të kamionëve që bartin mallra nga Rusia, kanë ngecur në Ukrainë për shkak se autoritetet e atjeshme u lejojnë atyre që të largohen por jo edhe të bartin produkte ruse.
“Presim që gjatë ditës së sotme të evakuojmë një pjesë të tyre dhe të vazhdojmë edhe me të tjerët. Prej pesëdhjetë shtetasve, rreth 20 janë në Kiev si dhe 20 të tjerë nëpër qytetet tjera ukrainase. Një familje me foshnjë pesëditëshe gjendet në Kharkiv, atje ku po udhëhiqen aktivitetet më të mëdha luftarake për momentin. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta”, tha Osmani.
Osmani tha se është sjellë vendim që të mos dërgohet ambasadori i RMV-së në Rusi, i cili duhej të shkonte atje më 15 mars. Gjendja në Ukrainë gjithnjë e më shumë përkeqësohet, tha shefi i diplomacisë, por ai është i shqetësuar pas deklaratës së presidentit rus, Vlladimir Putin për vendosje në gatishmëri të forcave nukleare.
“Gjendja po përkeqësohet edhe krahas bisedave të djeshme. Ata u ndalën për konsultime shtese, megjithatë informacionet që i kemi janë se pritet përkeqësim i veprimeve ushtarake në periudhën që vijon. Fakti që përmendet kjo mundësi nga ana e presidentit të shtetit që posedon kapacitet nuklear është ajo që shqetëson”, shton Osmani.
Vlerësimet se përkeqësimi i luftës mund të thotë bartje e konfliktit në Ballkan, sipas Osmanit është arsyeja për ngritjen e kujdesit në nivel më të lartë dhe andaj mendon se BE-ja duhet të marrë vendim që sa më shpejtë që është e mundur t’i fillojë negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
“Shkalla e kujdesit është ngritur edhe në NATO edhe në BE edhe te ne në rajon, që jemi anëtarë të NATO-s për shkak të mundësisë që dikush ta shfrytëzojë këtë gjendje për përkeqësimin e gjendjes këtu në kushte me dy çështje të mëdha të hapura dhe dy çështje shtese të hapura, çështja jonë dhe ajo e Shqipërisë për shkak të bllokimit të fillimit të negociatave”, deklaron Osmani.
Maqedonia deri më tani në tërësi iu bashkëngjit sanksioneve dhe masave restriktive të BE-së ndaj Rusisë. Është marrë vendim për mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët rusë, për ndihmë ushtarake dhe humanitare të Ukrainës, si dhe për valë eventuale me refugjatë prej Ukrainës. Gjithashtu është sjellë rekomandim për ndalesë të transmetimit të mediave shtetërore ruse përmes operatorëve tanë kabllovikë si masë për parandalimin e lajmeve të rrejshme dhe propagandës. Njëkohësisht u bëmë edhe bashkësponzorë të Rezolutës së asamblesë së përgjithshme të KB-së për dënimin e invazionit rus ndaj Ukrainës.
