Kështu dukej mali i Kondovës në 2016-tën.
Një vit më vonë një zjarr i madh kaploi pjesën e fundit të malit që kishte gjelbërim.
Edhe sot e kësaj dite, 4 vite pas djegies, mali vazhdon të jetë i shkretuar, pa gjelbërim e pa drunj.
“Pas një zjarri të madh këtu në Kondovë autoritetet ende nuk kanë ndërmarr asgjë për ta riparuar këtë vend”, Arbana Qerimi Klimenta.
Lënia e malit në këtë gjendje, përveç dëmit ekologjik, përbën edhe rrezik për vërshime të mundshme për zonën e banuar përreth.
Goce Georgieski, nga sektori për zhvillim rural në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, njëherazi edhe kryetar në Komisionin për Bujqësi dhe Pylltari në LSDM, thotë se mjete për ripërtëritjen e maleve janë ndarë, por tha se nuk ka detaje rreth malit të Kondovës, dhe se nesër mund të tregojë më shumë.
“Vitet e kaluara por edhe këtë vit është zhvilluar programi për reproduksion të pyjeve, përmes së cilit çdo vit ndahen mjete buxhetore që ekonomikisht të pasurohen apo të mbjellën të gjithë hapësirat e zhveshura të pyjeve që kanë pësuar nga zjarret apo prerja. Konkretisht edhe periudha që vijon, në vijim është plan aksionar me të cilin do të bëhet modernizim i mekanizimit por edhe mënyrës së udhëheqjes me tokat e pyjeve”, deklaroi Goce Georgieski – Sektori për Zhvillim Rural në MBPEU.
Por përveç zjarrit që po shkatërron pyjet në vendin tonë, sipas statistikave nga viti 2001 deri në vitin 2019 nga prerja ilegale e drunjve, sipas veglës së internetit Global Forestwatch, në Maqedoni janë shkatërruar mbi 38 mijë hektarë pyje.
