5 korriku është data e vetme për zgjedhje nëse ato mbahen gjatë verës, ky është qëndrimi i BDI-së dhe LSDM-së. Kjo datë është në përputhje edhe me gjendjen e jashtëzakonshme e cila u shpall herën e fundit në vilën Vodno, deklaroi në emisionin “Click Plus”, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
“Ajo çfarë thashë unë sot për 5 korrikun është se realisht nëse zgjedhjet mbahen këtë verë përveç 5 korrikut datë tjetër nuk ka .Tani me këtë gjendje të jashtëzakonshme data e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve është 5 korriku. Për shkak të shpalljes së re të gjendjes së jashtëzakonshme dhe nevojës për përgatitje të KSHZ-së dhe nevojës për të pasur fushatë, dita e vetme në bazë të çdo kalkulimi është 5 korriku. Nëse nuk mbahen në korrik atëherë mbetën në vjeshtë”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
5 korrikun si datë përfundimtare për zgjedhje e publikoi edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Për këtë nënkryetari LSDM-së, Kosta Petrov i shpalli të përfunduar edhe negociatat për datën me VMRO-DPMNE-në dhe shtoi se çështje e vetme e pazgjidhur mbetet nëse VMRO-DPMNE- ja do të realizojë ose jo fushatë.
“Qëndrimi ynë është i qartë, në zgjedhje shkojmë më 5 korrik. VMRO-DPMNE-ja duhet të vendos nëse do të realizojë fushatë ose jo, sepse emrat e deputetëve të tyre, gjegjësisht tashmë janë caktuar personat që do të jenë në listat zgjedhore”, tha Kosta Petrov, nënkryetar i LSDM-së.
TV21 e pyeti liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se a do të marrë pjesë në zgjedhjet që janë paralajmëruar më 5 korrik dhe nëse aktivitetet e fundit janë pjesë e fushatës parazgjedhore!? Ai nuk paralajmëroi bojkot duke thënë se do të përdorin çdo mjet për ta fituar Zaevin.
“VMRO-DPMNE-ja bashkë me prokurorinë “Luis Vuiton” dhe me të gjitha mjetet represive me të cilat disponon Zoran Zaev. Me “Reket 1” dhe me “Reket 2” dhe me çantat me miliona, me të gjitha përpjekjet për ryshfet, me të gjitha nga të cilat ai frikësohet do të dalim dhe do ta fitojmë”, tha Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së. Se më 5 korrik duhet të mbahen zgjedhjet për ta larguar BDI-në nga pushteti, ka deklaruar edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, kurse nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë vlerësuar se për ata janë të pranueshme zgjedhje që do të realizohen pasi të përfundojë kriza me virusin korona.