“Sa ditë ka që qëndroj këtu” dhe “Çfarë date është sot” pyeti një i mbijetuar në Osmanije të Turqisë pasi kishte qëndruar plot 88 orë i bllokuar nën rrënojat e ndërtesës së shkatërruar nga tërmeti i së hënës në Turqi.
“Sa ditë jam këtu? Çfarë date është sot?”
Ndonëse ekspertët e kërkimit kanë vlerësuar se 72 orët e para pas tërmetit janë kufiri përtej të cilit është thuajse e pamundur të gjenden të mbijetuar të tjerë nën rrënoja, e sidomos në temperatura të ulëta, duket se forca për jetë mund të përmbysë edhe vlerësimet e ekspertëve. Edhe në ditën e pestë pas tërmetit, ende nën rrënoja ka jetë, edhe përkundër se janë edhe pa ujë dhe në temperatura të ulëta.
Lajme të mira shpëtimi vijnë edhe nga ushtria e vendit tonë e cila gjendet në Kahramanmarash. Në bashkëpunim me ekipet turke mbrëmë nga gërmadhat kanë nxjerr edhe 5 vjeçarin Sulejaman.
Atmosferë…
Me aq pak fjalë sa kishte mësuar, një person nga ekipi i kërkim-shpëtimit nga Gjermania u përpoq të qetësonte një grua që e shpëtoi nga nën rrënojat.
“Zonja Zejnep? Danieli jam. Mos ke frikë! Në rregull.
10 orë iu deshën zjarrfikësve për të hapur një kanal të thellë nën rrënoja për të shpëtuar 2 motra, 14 dhe 15 vjeç. Pas 4 ditëve ose 101 orë të ngecura në gërmadha njëra prej motrave kërkoi t’i lëshonin pak muzikë që të mos e dëgjojë zhurmën e makinerive që punon 10 orë pa u ndalë.
“A po të vjen zëri? Në rregull atëherë, po e lëmë këtu telefonin. Ti dëgjo ne do të vazhdojmë të punojmë”.
Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit ende vazhdojnë me kamera termike dhe pajisje speciale të përcaktojnë nëse ka të mbijetuar në rrënoja.
Deri tani me mijëra njerëz janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat, por shpejt rritet edhe numri i viktimave. Vetëm në Turqi të paktën 18.991 njerëz kanë humbur jetën dhe 74.242 të tjerë janë lënduar. Në Siri janë regjistruar 3642 viktima dhe 2295 të lënduar.
Pas katastrofës së tërmetit, shumë zona të shkatërruara janë pushtuar nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura që shkaktuan fryrjen dhe daljen nga shtrati të lumenjve. Një situatë e tillë është jo vetëm në veri të Sirisë, por edhe në Iskanderun të Turqisë.
