470 milionë euro për pakon e katërt ekonomike, kryeministri Zaev e prezantoi pakon e re me 31 masa të veçanta

TË FUNDIT

Masa e parë është që të vazhdohet me pagesën e subvencionimit të rrogave në ekonomi me qëllim që të përkrahen kompanitë dhe punëtorët t’i mbajnë vendet e tyre të punës. Kësaj here masa është graduale dhe do të lëvizë prej 14.500 deri 21.700 denarë, për çka janë parashikuar 70 milionë euro. Në masën e dytë do të ketë kartela pagësore prej 6 mijë denarëve për disa kategori qytetarësh.

“Kësaj here kartelat pagësore janë me vlerë prej 6 mijë denarëve, para të cilat do t’i marrin 5 mijë e 726 prind të vetëm, pensionistë me pensione deri në 15 mijë denarë, përkatësisht 182.271 bashkëqytetarë tanë pensionistë, të papunësuarit që janë kërkues pasivë të punës, përkatësisht 85.108 qytetarë, artistë të pavarur, punëtorë të filmit, punëtorë të kulturës, punëtorë të estradës, numri i të cilëve është 520 shfrytëzues”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i RMV-së.

Janë parashikuar edhe grante për restorantet për dasma, për këndet e fëmijëve, agjencitë turistike si një prej sektorëve më të goditur. Fundjava e zgjatur, më 10, 11 dhe 12 tetor do të jetë fundjavë pa TVSH-në. Seti i vëllimshëm parashikon që nga janari të ketë 100 milionë euro shtesë për kredi të volitshme për kompanitë si dhe prolongim shtesë të pagimit të kredive deri në fund të vitit. Kompanitë që do të aplikojnë për masat duhet t’i kthejnë të punësuarit që i kanë larguar nga puna, kërkoi kryeministri.

“Për të gjithë ata që kanë të drejtë për të aplikuar, mesazhin e parë që e dërgojmë është – nëse keni larguar punëtorë, këto ditë para se të aplikoni, duhet t’i ktheni punëtorët, që ta mbajnë numrin e përgjithshëm të të punësuarve. Periudhën me të cilën kemi bërë krahasim është periudha e fillimit të Kovidit, përkatësisht 1 prill e deri më 31 gusht të këtij viti”, u shpreh kryeministri Zaev.

Zaev tha se për këto masat kanë biseduar edhe me opozitën, por menjëherë pas prezantimit të pakos së katërt të masave, në pres- konferencë doli lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski i cili kritikoi masat. Ai tha se kjo pako përveç se është e vonuar dhe se nuk do t’u ndihmojë qytetarëve, në mënyrë shtesë do ta përkeqësojë gjendjen e vështirë.

“Pakoja e katërt është provë e gabuar që të tërhiqet vëmendja nga problemet e vërteta. Mafia do të bëhet edhe më e pasur ndërsa populli më i varfër. Tre pakot e tjera ishin drejtuar gabimisht dhe ishin të pamjaftueshme që t’i amortizojnë efektet negative të krizës ndërsa qëllimi i vetëm i tyre ishte të bëhet ryshfet parazgjedhor dhe institucional”, theksoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pakoja e katërt e cila përmban 31 masa është me vlerë prej 470 milionë eurove ndërsa së bashku me tre pakot e tjera tejkalon një miliardë euro. Me këtë pako pritet të përfshihen mbi 600 mijë qytetarë.