Në fazën e parë të aksionit të Policisë ndaj disa kompanive për prodhim të kanabisit mjekësor, janë sekuestruar 40 tonë marihuanë, tregoi Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke shtuar se marihuana është trajtuar në mënyrë të paligjshme nga ana e kompanive.
“Bëhet fjalë për marihuanë që është konstatuar nga ana e Komisionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë se është prodhuar, ruajtur jashtë protokolleve të caktuara në bazë të të cilave duhej të zhvillohej e gjithë procedura. Është trajtuar jashtëligjshëm nga kompanitë nga të cilat u konfiskua”, tha Pançe Toshkovki – Ministër i Punëve të Brendshme.
Droga është deponuar në hapësirat e MPB-së me qëllim që të përdoret tutje në suaza ta procedurës së dëshmisë. Kryeministri Mickoski pret që në seancë qeveritare të merret vendimi me të cilin do të formohet komision dhe ekip që do të hyjë në shumë kompani, do ta kontrollojë punën dhe do të konstatojë gjendjen, se cilat janë ato kompani që kanë punuar sipas ligjit dhe cilat nuk kanë punuar sipas ligjit dhe e kanë manipuluar ligjin. Mickoski u dërgoi mesazh atyre që kanë vendosur të merren me krim.
“Vetëm dua t’u dërgojë porosi të gjithë atyre që kanë marrë vendim që krimi është punë me leverdi, ndoshta ka qenë kështu në ndonjë kohë tjetër, në rrethana të tjera, me konstalacion tjetër politik. Por sot krimi nuk ka leverdi. Do të kapeni dhe do të dënoheni rëndë, të gjithë ju që mendoni se krimi është i leverdishëm si profesion”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe, ngriti dyshime për kontrabandimin e 5 tonëve drogë përmes kufijve në Serbi.
“Gjithçka që bën ky pushtet gjithë kohës është defokus! Nuk ka përgjigje si ajo drogë e kaloi kufirin, përskaj të gjitha shërbimeve kufitare, dogana, policia. Kush është atje përgjegjës? A shikojnë porositë, a u kërkojnë dokumente? Ato janë tre apo katër kamionë me maune, sa do të duhej për t’i ngarkuar 5 ton drogë. Mirë le të bëhen këto hetime, kudo që ka kriminalitet le të përgjigjen, por e gjithë kjo po bëhet për defokus. Askush nuk përgjigjet se si 5 ton drogë në Serbi? Kjo është çështja kryesore!”, u shpreh Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Në aksionin e javës së kaluar ku u sekuestruan mbi 40 ton marihuanë nga disa persona juridikë në vend, Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit tha se po heton dyshimet e lidhjeve të narko-dilerëve të Serbisë me kompanitë vendore që kultivojnë marihuanën për qëllime mjekësore. Ata thanë se po vazhdohen aktivitete me policinë dhe Komisionin për miratimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Nga organi akuzës pohuan se janë në koordinim edhe me prokuroritë e tjera publike me juridiksion vendor, të cilat veprojnë në rastet e veprave penale të përcaktuara në Ligjin për Kontrollin drogave-narkotike.
