Katër persona kanë ndërruar jetë për një ditë nga virusi korona. Bëhet fjalë për një 79 vjeçare nga Shkupi, një 58 vjeçar nga Velesi, një 67 vjeçar nga Prilepi dhe nga Shkupi një 63 vjeçar.
Ndërkohë janë janë diagnostikuar edhe 26 raste të reja me virusin korona.
Më së shumti të infektuar 24 orët e fundit ka në Kumanovë edhe atë 11, duke e çuar numrin e përgjithshëm në këtë komunë në 211. Ndërsa numri i të prekurve ka shkuar në 854.
“Në Klinikën Infektive në Shkup janë pranuar edhe tre pacientë, gjithsej tani janë të hospitalizuar 68, prej tyre 8 janë në ventilim mekanik. Në Klinikën Infektive po pajiset edhe pjesa e spitalit mobil dhe dy ditët e ardhshme do të vihet në funksion me gjithë kapacitetin me mbi 100 krevate. Me këtë mundësia e hospitalizimit në këtë klinikë do të dyfishohet. Sa i takon të diagnostikuarve të rinj 24 orët e fundit shënon 26 raste të reja, sipas qyteteve Shkup -4, Kumanovo -11, Prilep -3, Tetovë 4 pacientë, Veles -2, Koçani dhe Probishtip nga një pacient”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkaq u lëshua në përdorim aplikacioni “StopKorona”, i cili jep informata se me cilët persona ka qenë në kontakt personi i infektuar. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski, tha se aplikacioni është i kapshëm për të gjithë telefonat celularë. Ai ju bëri thirrje qytetarëve që sa më masovisht të instalojnë aplikacionin nëpër celualarët e tyre.
“Bëhet fjalë për aplikacion për celularë, punuar sipas praktikave më të mira botërore. Qëllimi është zbulimi i kontakteve të afërta me persona potencalisht të infektuar. Aplikacioni është i duhur sepse ekspertëve shëndetësorë u jep përgjigje të shpejta, se me cilat persona ka qenë i infektuari në afërsi 14 ditët e fundit”, tha Damjan Mançevski, Ministër i Administratës.
Në 24 orët e kaluara janë kryer 330 teste, ndërsa që kur ka nisur virusi në Maqedoni janë kryer gjithsej 8,552 teste. Lajme pozitive vijnë nga Shtipi, ku tre pacientë të kuruar u dërguan sot për trajtim në shtëpi.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce njoftoi se gjatë kësaj jave do të futen në funksion dy laboratorë shtesë për teste të Covid-19, laboratori në ASHAM (Akademia e shkencave dhe arteve të Maqedonisë) dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore. Me këtë pritet që të shkurtohet koha e pritjes për rezultatet e testeve të koronavirusit.
