“Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tenderëve pa kritere. 96 viktima për 4 vite, asnjë ditë burg”. Këto ishin disa nga thirrjet e protestuesve që dolën sot para Gjykatës së Tetovës, si shenjë pakënaqësie ndaj gjykimit për rastin modular të Tetovës. Organizatorët thonë se kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të prokurorit Lubomir Jovevski.
“Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht të shkarkojë kryeprokurorin Joveski dhe ai bashkë me prokurorët tjerë të përfshirë në këtë vepër monstruoze të përgjigjen penalisht. Kërkojmë të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin, tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”. Pa drejtësi, nuk do të ketë qetësi”, tha Elmedina Abdullai nga “Më mirë për Tetovën”.
Protesta pason pas transmetimit të filmit dokumentar të dielën, i punuar nga IRL i titulluar “Vrasje në Tetovë”, ndërkaq qyettarët thonë se protestat duhet të vazhdojnë edhe ditët tjera.
“Po realisht duke parë situatën edhe pas ndjekjes së dokumentarit që u bazua në faktet e spitalit modular besoj se duhet të ketë protesta të vazhdueshme, të përditshme deri sa të zbardhet e vërteta”.
“Po duhet të ketë patjetër protesta tjera, sepse definitivisht sistemi juridik ka dështuar dhe ky është turp për shtetin tonë që jemi edhe kandidat për BE. Lëndët që zvarriten kaq gjatë kjo nuk ndodh as në shtetet afrikane, e jo më me një shtet kandidat për BE”.
“Padyshim se protestat vazhdojnë pasi jemi të zhgënjyer nga sistemi gjyqësor dhe prokuroria. Fillimisht është jo normale që në procesin gjyqësor që përfundoi në Gjykatën e Tetovës dikush të dënohet me kusht, e njëri prej të akuzuarve u lirua duke e ditur se të gjitha protokollet e pandemisë ishin të thyera atë natë në spitalin modular. Kishim edhe dy viktima nga jashtë përveç pacientëve kështu që është absurde thyerja e protokollit të mos gjykohet edhe mos dënohet”.
Për zjarrin në spitalin modular në gjykatën e Tetovës, pati proces gjyqësor i cili përfundoi më pesë qershor të këtij viti. Atëherë dënim me kusht morën drejtorët e akuzuar Florin Besimi dhe Artan Etemi për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, përderisa personi juridik ISHP Spitali klinik u shpall fajtor për veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Besimi dhe Etemi morën dënim të konfirmuar me burg prej një viti e gjashtë muajve, që do të ekzekutohet nëse të akuzuarit secili për vete, në kohë prej tre viteve kryejnë vepër të re penale.
Pas përfundimit të gjykimit, gjykatësi Jordan Velkovski arsyetoi se të akuzuarit nuk janë të akuzuar për shkaktim të zjarrit, ndërkaq sipas tij, propozimi i prokurorisë me asnjë veprim nuk i akuzon të akuzuarit se ata kanë kontribuuar për zjarrin.
