379 raste aktive me Covid-19 në Tetovë! Shtohen infektimet, por edhe interesimi për vaksinim

TË FUNDIT

Vazhdon rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 në Tetovë. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 95 raste të reja, që e çojnë në 379 numrin total të të infektuarve. Është rritur edhe numri i të hospitalizuarve. Në Spitalin Klinik të qytetit janë 36 të shtruar që po marrin terapi anti-kovid, ndërsa në ditë ndihmë kërkojnë rreth 60 pacientë. Krahas kësaj është rritur edhe interesi për imunizim. Vetëm në 12 orë janë vaksinuar rreth 1300 qytetarë të moshave të ndryshme. Mjeku Besnik Mustafai thotë se në tre ditët e fundit interesimi për vaksinim është rritur dukshëm.

“Procesi po shkon në mënyrë të rregullt dy-tre ditët e fundit vërehet edhe interesim i madh i qytetarëve, që po vjen në relacion indirekt që vjen si pasojë e rritjes së numrit me raste të reeja dhe qytetarët vetëdijesohen pasi që e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë është vaksinimi sa më i shpejtë i minimum 50% të qytetarëve”, deklaroi Mustafai.

Sipas Mustafait rritja e rasteve të reja me virusin korona vjen si pasojë e grumbullimeve dhe mos respektimit të masave.

“Kohëve të fundit ne të gjithë kemi pasur ahengje familjare të pa kontrolluara, të cilat se pa dyshimi na kanë sjell në këtë gjendje që jemi pasi që ditëve të fundit nuk jemi të kënaqshme me rastet e reja që i kemi me Covid”, shtoi Mustafai.

Ditëve të fundit Tetova ka shënuar rritje të infektimeve, gjë që ka shtuar edhe fluksin e pacientëve të shtrirë në qendrën Covid. Mosha e të hospitalizuarve fillon nga 31-vjeç e lart. Mjekët dhe autoritetet shëndetësore apelojnë që të respektohen masat për mbrojtje sepse pandemia nuk ka kaluar akoma!