300.000 euro dëm NP “Llapushnik” Kërçovë! Akuzohen krerët e “Llapushnikut” dhe disa të punësuar!

TË FUNDIT

Qyteti më i prekur me prerjen e drunjve në mënyrë ilegale është Kërçova, tregojnë hulumtimet e Eurothink. Hulumtimet shpalosën të dhënat nga viti 2010 deri në vitin 2019 nga ku tregojnë se bëhet fjalë për veprimtari të organizuar kriminale ku grupe serioze kriminale me hierarki dhe strukturë arrijnë të akumulojnë një sasi të madhe të prerjeve ilegale. Ata thonë se në këtë veprimtari ilegale janë të kyçur edhe figura të fuqishme politike.

Në raportin e fundit të EuroThink flitet për dëmin e një shume prej 300.000 mijë eurove që i është bërë filialit “Llapushnik“ Kërçovë për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për një drejtor dhe disa të punësuar.

“Në shkurt të vitit të kaluar MPB filloi akuzë penale kundër drejtorit të Përgjithshëm të Ndërmarrjes Publike Pyjet Kombëtare, kreut të filialit “Llapushnik” në Kërçovë dhe tre të punësuarve të tjerë në filial për abuzim të pretenduar të pozitës së tyre zyrtare . Ata ishin akuzuar për lejimin e prerjeve të paligjshme në rrethinën e Kërçovës duke shkaktuar dëm financiar në Ndërmarrjen Publike prej afro 300.000 eurove. Nuk ka asnjë informacion zyrtarë në dispozicion nëse Zyra e Prokurorisë Publike në Kërçovë kishte ndjekur penalisht ndonjërin nga këta individë dhe nëse ka pasur ndonjë procedurë gjyqësore”, thonë nga Eurothink.

TV21 mëson se personi në fjalë për të cilin tregon Eurothink se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, është ende në krye të detyrës dhe ushtron postin drejtor i ndërmarrjes “Lllapushnik”. Ne kontaktuam kreun e filialit “Llapushnik“ Kërçovë Zoran Kërsteski , por ai hodhi poshtë këto akuza duke pretenduar se bëhet fjalë për dëmin që prerësit ilegal i kanë bërë ndërmarrjes. Ai mohon akuzat se janë të përfshirë në korrupsion.

“Nuk ka asgjë të vërtetuar, as të vendosur, mbi të punësuarit. Ndërsa dëmi që është bërë është dëm nga vjedhjet e pyjeve. Nga fillimi do të shqyrtohet në prokurori a ka të përfshirë apo nuk ka”, u shpreh Zoran Kërsteski.
TV21 mëson se më 21 shkurt të vitit të kaluar është ngritur padi penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare kundër personit Z.K 61 vjeç dhe kundër dy personave të tjerë nga fshati Pllasnicë SH.A 51 vjeç dhe B.B 39 vjeç të punësuar tek Ndërmarrja “Llapushnik” .

Raporti i Eurothink tregon se në Kërçovë maqedonasit akuzojnë shqiptarët dhe romët për prerjen e drunjve, ndërsa shqiptarët akuzojnë maqedonasit. Gjithashtu në hulumtimin e tyre është vërejtur se ekziston në garë në mes policisë pyjore dhe policisë së rregullt, ku këta të fundit thonë se policia pyjore duhet të merret me prerjen e pa ligjshme të drunjëve, dhe ruajtjen e pyjeve të vendit. EP”Llapushnik “ Kërçovë për periudhën 2010-2019 kanë ngritur gjithsej 223 kallëzime penale dhe 665 akuza për kundërvajtje për shfrytëzim të pa ligjshëm.