Gropa të mëdha dhe vështirë të kalueshme. Në këtë rrugë të shkatërruar çdo ditë kalojnë banorët e fshatit Moroishtë të Strugës. Thonë se në këtë gjendje është mbi 30 vite dhe se çdo herë marrin premtime për ndërtim, por asnjëherë nuk janë realizuar. Disa herë kanë kërkuar në komunë por kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Siç e shihni rruga është në gjendjen e njëjtë, kemi premtime çdo herë edhe nga kryetari edhe nga struktura të tjera, do të fillojë sot, nesër pasnesër, por kur do të fillojë dhe si do të fillojë atë nuk mund ta themi, e shihni se në çfarë gjendje është rruga”, tha Aco Popovski, kryetar i Bashkësisë Lokale.
Transportuesit publik prej fshatit në qytet duan të ndërpresin transportin për shkak të rrugës së keqe, sepse thonë se po i shkatërrojnë mini-autobusët e tyre dhe nuk kanë llogari, thotë kryetari i bashkësisë lokale.
“Po ankohen edhe transportuesit se do ta ndërpresin transportin publik që janë duke e kryer për shkak të kushteve të këqija, për shkak të defekteve të shumta që u vijnë nga gropat e mëdha dhe nuk mund të qëndrojnë me atë”, theksoi Aco Popovski, kryetar i Bashkësisë Lokale.
Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, për TV21 tha se rruga në këtë fshat do të ndërtohet këtë vit.
“Atje kemi dy rrugë të bëra, njërën e kemi kryer mandatin e kaluar, këtë rrugën që është më e madhe hyrja në “Boris Kidriç” që shkon deri në fshat, kemi konkurruar këtë vit në byronë për zhvillim rajonal, projekti është pranuar dhe besojmë që këtë vit do ta realizojmë”, deklaroi Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës.
I pari i Strugës po ashtu tha se bashkë me këtë rrugë do të ndërtohen dhe rrugët në Llabunishtë që lidhet me Podgorcën edhe rruga në Tatatesh.
