Me hapjen e deponisë Rusino dhe themelimin e ndërmarrjes Rusino Pollog, komunat e rajonit të Pollogut e kanë zgjedhur problemin e hedhjes së mbeturinave, por tre nga nëntë komunat që hedhin në këtë deponi kanë borxhe ndaj ndërmarrjes.
“Në qoftë se Komuna e Gostivarit, e Jegunovcës edhe e Zhelinës nuk shlyejnë borxhin që kanë ndaj ndërmarrjes Rusino, kjo deponi shumë shpejtë mund të mbyllet edhe për nëntë komunat e rajonit të Polloogut”, raporton Senat Zylbehari, gazetar i TV21.
Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrje ata nuk kanë mjete të mjaftueshme për rrogat e të punësuarve, ndërsa borxhi që kanë komunat ndaj kësaj ndërmarrje është tre milion denarë.
“Kjo është në punë ekipore dhe është një ndërmarrje ndërkomunale. Këtu janë të rëndësishëm të gjithë nëntë komunat dhe nëse dy-tre komuna nuk vazhdojnë të paguajnë obligimet e tyre, atëherë nuk rrezikohet mbyllja e rampës për to, por për të gjithë komunat dhe për ata që kanë paguar, sepse ne nuk kemi mjete për ta mirëmbajtur. Ajo shumë shpejtë do të mbulohet me mbeturinat dhe do të jemi të detyruar t’i mbyllim portat, sepse nuk do të kemi vend ku t’i pranojmë mbeturinat”, thotë Besim Dogani, drejtor i NP Rusino – Pollog.
Problem në vete është pagesa që bëjnë komunat dhe ndërmarrjet për mbeturinat. Tani për tani për një ton mbeturina, paguhet 310 denarë, ndërsa sipas Doganit kjo shumë është shumë e vogël edhe ai ka kërkuar rritjes te pagesës nga komunat.
“Në takimin e fundit propozova para kryetarëve të komunave që të bëhet një rritje për ton të mbeturinave të hedhurave. Një gjë e tillë nuk u miratua por u la për tu diskutuar më tej ndërsa nga ana tjetër u la që të gjendet mënyra tjera të këtyre kostove”.
Por çfarë mendime kane disa nga kryetarët e komunave rreth çmimit?
“Për momentin mbetet vendimi që mbetjet që menaxhohen nga ndërmarrjet komunale të jenë 2.5 euro këtë vit dhe 5 euro nga viti tjetër për ton”, tha Bilall Kasami, kryetar i Tetovës.
“Në mbledhjen fundit e diskutuam që të rritet edhe pak çmimi për ton në Rusino dhe kjo do të ritet. Nuk u caktua çmimi përfundimtar, por unanimisht u vendos që të rritet”, tha Blerim Sejdiu, kryetar i Zhelinës.
Nga 5 euro sa paguhet për një ton mbeturina komunat paguajnë 2.5 euro, ndërsa gjysmën tjetër e paguajnë kompanitë që hedhin mbeturina. Çmimi pesë euro në ton mbeturina është më i vogli në rajon gjë që pamundëson funksionin normal të kësaj ndërmarrje.
