Kanë vazhduar reagimet për vendosjen e gjelbërimit në qendër të Shkupit me të cilin është bllokuar pllaka përkujtimore e Nënës Terezë. Për të korrigjuar problemin, në qytetin e Shkupit shkoi Drejtori i Shtëpisë Muze të Nënës Terezë, Arijan Asllanaj. Ai nuk e ka takuar Shilegovin, por sektorit të kulturës i ka propozuar vendosjen e disa gurëve përmes së cilëve do tu mundësohet qasje vizitorëve deri te pllaka përkujtimore.
“Sa i përket qasjes se a do të jetë e mundshme, do t’ia lemë kohës njëherë. Garancë nuk kam njëherë që do të ndërtohet ajo, mirëpo koha është shumë e shkurtër, 4 shtatori është shumë shpejtë shpresoj se diçka do të zgjidhet. Normalisht do të jetë e përkohshme, sepse nuk e meriton shenjtorja jonë të jetë ashtu, qoftë edhe vetëm me një pllakë përkujtimore”, tha Arijan Asllanaj, drejtor i shtëpisë muze.
Qasje deri te pllaka përkujtimore kërkuan sërish nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve. Drejtori Skender Asani shprehu pakënaqësi ndaj akuzave të kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov drejtuar ndaj tij gjatë këtyre ditëve dhe njoftimit se gjelbërimi do të qëndrojë ashtu si është.
“Me deklaratën e djeshme ai i ndau qytetarët. Ata që munden dhe ata që nuk munden. Kjo do të thotë se akti i djeshëm i presskonferencës të kryetarit të Qytetit të Shkupit, ishte ndasia e qytetarëve”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së.
Shilegov dje tha se nuk mund të krijojë qasje deri te pllaka, sepse hapësira ku është vendosur gjelbërimi është pronë private dhe është donacion i siç i quajti ai, “qytetarëve e vetëdijshëm”. Kur u pyet se si mundet që disa të mbjellin e disa jo, ai tha ashtu është.
Petre Shilegov, kryetar i Shkupit:
“Ne nuk kemi të drejtë të drejtë të bëjmë investim si qytet dhe të shpenzojmë para publike dhe këtë nuk do ta bëjmë”.
TV21: Ky a nuk është investim i juaji?
Petre Shilegov: “Jo, jo, ky nuk është investim i qytetit. Qytetarë të vetëidjshëm të qytetit donin të ndihmonin me qëllim që ta rregullojnë hapësirën siq duket prapa nesh dhe mos të mbetet gropë. Qyteti nuk ka investuar mjete dhe as qe ka ndërmend të investojë mjete publike në këtë hapësirë”
TV21: Do të thotë gjelbërimi do të qëndrojë kështu?
Petre Shilegov: “Tash për tash po”.
Edhe pse debati për bllokimin e pllakës përkujtimore të Nënës Terezë ka tre ditë që zhvillohet, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani në “Click Plus” premtoi se do të zgjidhet shpejtë dhe lehtë.
Bujar Osmani, zëvendëskryeministër:
“Besoni se do të rregullohet shumë shpejtë”.
Gazetari: Si do të rregullohet për shembull që ta dimë?
Bujar Osmani: “Shumë lehtë dhe shumë kollaj”.
