3.000 euro gjobë shkupjanit që s’e respektoi karantinën shtetërore

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore Publike në Strugë deri te gjykata kompetente propozoi urdhëresë ndëshkuese kundër pesë personave për vepër penale “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”, bënë të ditur nga PTHP Strugë.

“Katër nga të akuzuarit nuk e kishin respektuar Vendimin për ndalesë dhe regjimin e veçantë të lëvizjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në disa ngjarje juridikisht penale nëpunësit e policisë kanë konstatuar se ata e kishin shkelur orën policore dhe pa pasur leje kishin lëvizë në lokacione të ndryshme në dhe rreth Strugës”, informojnë nga prokuroria.

Njëherësh nga Prokuroria e Strugës informojnë se i akuzuari i pestë, një shkupjan 22-vjeçar, ishte kthyer prej jashtë me fluturim të organizuar humanitar nga Qeveria dhe pas arritjes i ishte caktuar karantinë e detyruar shtetërore në hotelin “Drin” në Strugë.

“Por, më 6 prill disa herë kishte dalë nga dhoma dhe ishte gjetur nga nëpunësit e policisë. Pasi policët e kishin paralajmëruar se nuk guxon të lëshojë dhomën, ai iu ishte përgjigjur në mënyrë të pahijshme dhe me ton të lartë, e prandaj nëpunësit e policisë kishin intervenuar dhe e kishin kthyer në dhomë”, potencojnë nga Prokuroria.

Prokurori kompetent publik për të gjithë të akuzuarit i propozoi Gjykatës që të përcaktojë gjoba në të holla prej 100 gjobave ditore, ndërsa vlera e një gjobe ditore të caktohet në 30 euro në kundërvlerë denari./MIA