Bosnja dhe Hercegovina sot përkujton korrikun e përgjakshëm nga masakra e Srebrenicës. Ky gjenocid në Srebrenicë sot shënon 26 vjetorin. E për përkujtimin e viktimave, Komuna e Çairit organizoi një marsh përkujtues nga oborri i komunës e deri tek parku i Çairit. Ruzhdi Kallaç, profesor dhe doktor shkence tha se kjo datë nuk duhet harruar kurrë dhe se shumë pak jemi të vetëdijshëm për tmerrin që ka ndodhur në Srebrenicë.
“Kur kam shkuar atje në vitin 97, nuk e dija ku shkoja, kishim shumë pak informacione për luftën, çfarë ndodh, dhe kam një vërejtje për televizionet për shkak se shumë pak e kanë përmendur luftën, është folur shumë pak për këtë gjë. Pse?! Unë e di por po lë që të tjerët të interpretojnë”, tha Kallaç.
Profesori Kallaç tregoi edhe për një ngjarje që i kishte ndodhur gjatë kohës që kishte qenë në Sarajevë.
“Atë që kam parë në vitin 97, me autobus na kanë transportuar përmes Igmanës, në një turnir të boksit të Haki Turajliq i cili është vrarë gjatë transportit, që duhej të transferohet nga njëra anë e Sarajevës në anën tjetër, atëherë serbët, UNPROFOR e kanë vrarë. Tani në nder të tij çdo vit mbahet ky turne memorial Haki Turajliq. Dua të them se ne këtu shumë pak dimë rreth luftës që ka zgjatur 5 vjet”, shtoi ai.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu vendosi lule tek Memoriali kushtuar gjenocidit të Srebrenicës. Tha se si Komunë gjithmonë kanë punuar për një shoqëri me të drejta dhe obligime të njëjta për të gjithë qytetarët në komunën e Çairit.
“Që nga themelimi i Komunës së Çairit e deri më sot, kemi qenë të kujdesshëm që të ruajmë diversitetin që kemi për të cilën mund të them se është një nga të rrallat në vend. Kemi respektuar dhe vazhdojmë t’i respektojmë të gjithë qytetarët që jetojnë në komunën tonë sepse fundja Çairi është simboli i bashkëjetesës, i multikulturalizmit, i diversitetit”, tha Ganiu.
Vlerësohet se Srebrenica është katastrofa më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Rreth 8 mijë meshkuj mysliman kryesisht boshnjakë u masakruan përgjatë 11 ditëve në gjenocidin e Srebrenicës, trupat e tyre më pas u hodhën në varreza masive. Ata ishin ndjekur përmes pyllit brenda dhe rreth Srebrenicës nga ana e trupave serbe. Gjykata speciale për krime të luftës të OKB-së në Hagë dhe gjykatat e vendeve të ish-Jugosllavisë, dënuan rreth 50 serbë boshnjakë, mes të cilëve edhe udhëheqësin e tyre ushtarak civil, Radovan Karaxhiq dhe komandantin e tij ushtarak, Ratko Mladiq, me më shumë se 700 vjet burg për “Krimet në Srebrenicë”.
