“Nuk jemi as në qendrën e Milanos, e as në qendrën e Lionit, por ndodhemi në parkingun prapa Shtëpisë së Ndërtuesve në Qendër të Shkupit. Po të ishim në ndonjë prej qyteteve të lartpërmendura, do të paguanim më pak për parkim. Çmimi për një orë parkim është 250 denarë”, raporton gazetarja e TV21, Aleksandra Velinova.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Parkingjet e Komunës Qendër”, Vasko Kiçevski, shpjegon përse ky parking është më i shtrenjti në kryeqytet. Ideja ka dalë nga debati me banorët e kësaj pjese të qytetit, me qëllim që të reduktohet numri i automjeteve që parkojnë aty.
“Kërkesa e banorëve ishte 500 denarë për një orë, por mendoj se ky çmimi është i paarsyeshëm. Nëse po më pyetni mua, sipas meje edhe çmimi i tanishëm është i paarsyeshëm, por duhet pasur parasysh se në hapësirën ku mund të parkohet ka 750 automjete të banorëve dhe ata nuk paguajnë asgjë, kurse vetë hapësira ka kapacitet për parkim të 400 veturave”, tha Kiçevski.
Në bazë ditore në këtë parking realizohen nga 30 deri në 50 pagesa, ndërsa periudha për transit prej 15 minutave është falas. Këto mjete, siç thotë Kiçevski, nuk mjaftojnë për mbulim të harxhimeve për të punësuarit. Vitin e kaluar buxheti i përgjithshëm i “Parkingjeve të Komunës Qendër” ka qenë 122 milionë denarë, ku janë përfshirë edhe të ardhurat nga shërbimi “Karrotreci” dhe pagesa e parkingjeve.
