25 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, krimi më i tmerrshëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore

TË FUNDIT

Edhe këtë të shtunë më 11 korrik, qyteti boshnjak i Srebrenicës, është vendi që ngjall më shumë trishtim në Evropë dhe në botë. Edhe pse kanë kaluar 25 vjet, kujtimet e gjenocidit të kryer nuk zbehen. Të mbijetuarit çdo vit shkojnë në varreza për t’i varrosur eshtrat e baballarëve, vëllezërve, burrave dhe djemve.

Paqe shpirtërore gjeti edhe Hajrija Salihoviq, e cila bashkë me djalin e saj e i ka mbijuetuar gjenocidit. Por, fatin e njëjtë nuk e kishte edhe burri i saj, eshtrat e të cilit u varrosën sot.


“Të paktën të di se është gjetur një eshtër. Nuk dija asgjë deri më tani. Kaluan shumë vite, nuk dinim çka ka ndodhur me të”, tha Hajrija Salihoviq, e mbijetuar në gjenocidin në Srebrenicë.

Rreth 8.000 myslimanë, kryesisht boshnjakë, ishin ndjekur përmes pyllit brenda dhe rreth Srebrenicës nga ana e trupave serbe. Ajo që ndodhi në Srebrenicë është katastrofa më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Sivjet, nëntë viktima të reja që janë identifikuar do të dërgohen në shtëpinë e përjetshme. Eshtrat e tyre janë varrosur në Qendrën Përkujtimore “Potoçar”, afër Srebrenicës.
Ajo që ndodhi ishte turp për bashkësinë ndërkombëtare, sepse qyteti në vitin 1993 ishte shpallur për “zonë të sigurt” për civilët nga ana e Kombeve të Bashkuara. Por, për fat të keq, mbi 8 mijë persona nuk arritën të mbijetojnë…  


“11 korriku është më shumë sesa një kohë e errët në të kaluarën e Bosnjës. Gjithashtu, kjo është një kujtesë e turpshme për koston e tmerrshme për të gjithë ne, kur do t’ia kthejmë shpinën njerëzimit tonë të përbashkët”, deklaroi Bill Klinton, ish-president i SHBA-ve.


“Evropa është me ju. Ne nuk do të ndalemi derisa të vijë drejtësia. Para 25 vjetëve në Srebrenicë ishin kryer vepra të tmerrshme, mijëra djem dhe burra ishin vrarë brutalisht dhe varrosur në varreza masive”, u shpreh Sharll Mishell, kryetar i Këshillit Evropian.

Gjykata speciale për krime të luftës të OKB-së në Hagë dhe gjykatat e vendeve të ish-Jugosllavisë, dënuan rreth 50 serbë boshnjakë, mes të cilëve edhe udhëheqësin e tyre ushtarak civil, Radovan Karaxhiq dhe komandantin e tij ushtarak, Ratko Mladiq, me më shumë se 700 vjet burg për “Krimet në Srebrenicë”.