Deponia u dogj 24 orë , ndoti tërë Shkupin! Dudush ndan maska, por për koronën apo për ndotjen?

TË FUNDIT

24 orë u djeg deponia ilegale në Shutkë.

Më shumë se 24 orë u ndot ajri në tërë Shkupin, kjo sepse hapësira që u vërshua nga flaka ishte e madhe e kurse deponia përmban mbeturina nga më të ndryshmet. Duke filluar nga plastika, e deri te tekstili e goma.

Tymi që lëshohej të digjte sytë dhe vështirësonte frymëmarrjen. Këtë e përjetuan për një kohë të gjatë edhe banorët që jetojnë rreth deponisë, pasi deponia digjet shpesh nga persona që për autoritetet nuk janë të njohur.

Banor: “Shpesh e denoncojmë te zjarrfikësit. ata vijnë, e shuajnë pastaj si duket deponia vetë digjet dhe tash për tash nuk ka asnjë zgjidhje. Ky tym hyn në të gjitha objektet e banimit në Shuto Orizare, në Vizbeg si vendbanime më të afërta, Bardovcë por besoj se edhe në të gjithë qytetin. Unë apeloj që sa më shpejt të zgjidhet problemi. Tash keni rastin drejtpërdrejt ta shihni çfarë ndodh, çfarë të them tjetër.”

Banor: “Si qytetar jemi drejtuar te të gjithë institucionet. Ishim te Ministria e Mjedisit Jetësor, ishim te Komunat si Shuto Orizare, Butel sepse Vizbegu është nën komunën e Butelit, ishim edhe te Qyteti i Shkupit, jemi drejtuar deri te kryeministri i Shtetit atëherë Zoran Zaev, jemi drejtuar te presidenti i shtetit… të gjithë na kanë pranuar, por gjithçka mbaroi këtu. Tërë kohën luajnë ping-pong”

U desh të kalojnë 50 minuta që ekipi i zjarrfikësve të intervenojnë, edhe kur erdhe pati pengesa për shkak se u pëlciti gypi, kjo për shkak të makinerisë së vjetërsuar.

Zjarrin e lokalizuan për disa minuta, dhe shkuan.

Zjarrfikësi: “Tërë kohën edhe nëse qëndron, të vish edhe nesër edhe pasnesër, njejtë do të jetë”

Shkuam edhe sot, dhe deponia sërish nën flakë duke lëshuar tym.

Në ora 9 e gjysmë erdhi një kamion, i cili menduam se ka ardhur për ta pastruar deponinë, por në fakt kishte ardhur për ta mbushur më shumë atë. Kur e pytëm se me lejen e kujt po e mbushin këtë deponi, ata thanë me lejen e kryetarit të Shutkës, Kurto Dudush.

Dudush në telefon nuk na u përgjigj asnjërit, por e gjetëm duke shpërndarë maska. E pyetëm se pse po shpërndan maska, apo për t’i mbrojtur banorët nga ndotja e ajrit?

Kurto Dudush, kryetar i Shutkës: “Jo, me shumë gjasë ju kanë parë me kamerë dhe të shpëtojë nga situata ka thënë se ne i lejojmë.
TV21: Ju thoni se nuk keni dhënë leje për ndonjë firmë dhe per persona?
Kurto Dudush: “Ne nuk japim leje as me shkrim as me gojë dhe çdo person që ne e kapim me inspektorët komunal sigurisht se e gjobisim. Ne vazhdimisht e pastrojmë, por dërgohet aq shumë sa nuk arrijmë ta pastrojmë në tërësi”.

Ndërkaq Petre Shilegov thotë se për këtë deponi ka folur edhe me zëvendësministrin dhe ministrin e Mjedisit Jetësor, që mjetet që janë paraparë të mos hiqen.

“Unë kam folur me ministrin dhe zëvendësministrin e Ekologjisë, që t’i shikojmë zërat buxhetor duke e pasur parasysh se kemi pasur një zhvendosje të mjeteve për shkak të krizës Kovid-19 edhe në nivel qëndror, që së paku mjetet që janë paraparë për këtë deponi të lirohen,” tha Petre Shilegov, kryetar i Shkupit. Hedhja e mbeturinave në këtë vend është shkelje penale, pasi ajo nuk figuron si deponi, por është hapësirë publike e cila është shndërruar në deponi për shkak të hedhësve ilegal. Situata bëhet më shqetësuese, pasi ajo gjendet afër tokave bujqësore, dhe hyrja e saj shërben edhe si hyrje e kishës dhe varrezave ortodokse të Vizbegut. Aty mund të gjesh shumë lehtë edhe të mitur të cilët grumbullojnë e shesin bakër dhe kanaçe.