Vitin e kaluar 23 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, kurse 1,790 punëtorë janë lënduar duke kryer detyrat e tyre të punës.
Ministrja e Punës dhe politikës sociale Milla Carovska thotë se kjo ndodh për shkak të lëshimeve të punëdhënësit edhe të punëtorit, i cili nuk i mbath pajisjet mbrojtëse në punë.
Ajo thotë se legjislacioni i sigurisë dhe shëndetit në punë është relativisht i fortë, por mungon implementimi i tij i plotë dhe mbikëqyrje me intensitet më të madh. Vitin e kaluar Inspektorati Shtetëror i Punës ka bërë 12,665 kontrolle, nga të cilat 7,000 janë të rregullta, kurse Carovska paralajmëron një numër më të madh të kontrolleve të inspektimit.
“Është me rëndësi që Inspektorati i punës është në një ndjekje më intensive. Sepse nëse harrohen të ndiqen implementime të caktuara, të cilat janë çelës për të parë nëse politika zbatohet në terren, mendoj se do të jap rezultate më të mëdha në të ardhmen. Ndoshta disa vrima në ligj duhet të mbyllen, që të mos ketë manipulime”, theksoi Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.
Konfederata e organizatave të Sindikatave paralajmëroi se me protestë në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, do t’i shprehin pakënaqësitë e tyre. Marijan Risteski, përfaqësues i Konfederatës, tha se përfaqësuesit e sindikatave këtë vit do të zgjerojnë kërkesat e tyre për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
“Jemi dëshmitar që kolegët tanë, në policinë e burgjeve, policinë pyjore dhe policinë e rëndomtë, sulmohen brutalisht dhe ka tentime për vrasje. Do të kërkojmë nga Qeveria që të ndërrohet kodi penal, që këta punëtorë të jenë më të mbrojtur. Sepse ky akt filloi të zgjerohet, dhe ne si sindikatë duhet të veprojmë për të drejtat e punëtorëve”, potencoi Marijan Risteski, pjesëtar i KOSMV.
Sipas analizës tre vjeçare të Komitetit të Helsinkit, rezulton se gjatë viti të kaluar, 5 mijë punëtorë janë ankuar për shkeljen e të drejtave të tyre në vendin e punës.
Nga Komiteti i Helsinkit thonë se në Maqedoni punëtorët nuk gëzojnë të drejta dhe se shkelje më të mëdha janë hasur në industrinë e tekstilit dhe këpucëtarisë.
Përgatiti: Almedina Ismajli
