2025 nga prizmi i ekonomisë në Maqedoni, inflacioni shënoi vitin që lamë pas

TË FUNDIT

Inflacion. Lufta kundër çmimeve të larta, para së gjithash në markete, e shënoi tërë vitin 2025.

Vitin e kaluar e nisëm me Shportën aktive të Vitit të Ri, me të cilën Qeveria synonte t’i frenonte çmimet, por edhe marketet, për të cilat pretendonte se në mënyrë jopazare, për përfitime shtesë, në kurriz të qytetarëve i rrisnin çmimet. Qytetarët nuk panë shumë dobi nga ulja administrative e çmimeve prej 10 për qind.

“Jo, madje e ndjemë që gjithçka është shtrenjtuar”

“Jo shumë, sidomos blerjet para Vitit të Ri ishin me të njëjtat çmime. Pas Vitit të Ri ka ndonjë ulje. Nuk janë të ndjeshme, por ka.”

“Të jem real, jo”

“Po kishte ndonjë ulje, por nuk e di, kishte po, pak, nuk e di, për disa produkte të caktuara, të vogla.”

“Jo, jo, sinqerisht nuk më interesojnë çmimet sa janë, çfarë janë.”

“Po sinqerisht, mendoj se nuk kishte shumë”

Paralelisht me shportën, Qeveria i paralajmëroi marketet që ta respektojnë Ligjin për praktika të padrejta tregtare, i cili duhej të parandalonte fitime të mëdha të marketeve, të cilat do t’i paguanin qytetarët me çmime jorealisht të larta. Kontrollin e ushtron Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK).

 “Komisioni do të punojë, do të mund të hyjë në kompani për të kontrolluar kontratat sipas denoncimeve e kështu me radhë. Pra, çdo gjë që do të konstatohet si parregullsi do të mund të ndëshkohet. Gjoba është e lartë, 20 mijë euro“, pohoi Marjan Risteski, zëvendësministër i Ekonomisë .

Por çmimet nuk u qetësuan. Edhe në janar edhe në shkurt inflacioni ishte pesë për qind. Edhe pse ky konsiderohet inflacion i moderuar, ai na goditi sepse më së shumti u shtrenjtua ushqimi, për të cilin shpenzohet pjesa më e madhe e të ardhurave. Prandaj, sipas shembullit të Kroacisë, në ditën e fundit të janarit, qytetarët i bojkotuan marketet. Qarkullimi ra ndjeshëm.

Edhe kryeministri fajin për çmimet e larta e pa te marketet.

 “Ka operatorë të caktuar ekonomikë që e keqpërdorin pozitën e tyre në treg. Dhe për mua si qytetar, të abstrahohemi nga politika, si qytetar është e palogjikshme që të njëjtat produkte në marketet tona të jenë me çmime të njëjta ose më të larta sesa në marketet e vendeve fqinje”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Bojkoti si bojkot nuk e zgjidhi problemin. U bë edhe një tjetër, shtatë ditë më vonë, por me ndikim më të vogël mbi marketet. Meqë marketet/tregtarët vazhduan si më parë, Qeveria paralajmëroi masa të reja. U fut Shporta e Ramazanit dhe e Pashkëve me ngrirje të marzhës deri në 10 për qind për 100 grupe produktesh.

 “Sa i përket zgjidhjes afatgjatë, nesër kemi takim me ministritë dhe institucionet relevante që janë përfshirë në këtë proces dhe do të kemi një vendim afatgjatë për të pasur çmime stabile, që çmimet të jenë stabile në treg”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.

Marketet u përpoqën të fitonin disa lehtësime në negociata me Qeverinë që të mos ishin 100 grupe produktesh, por vetëm rreth njëqind.

Ndoshta edhe do të merreshin vesh, por me gjasë Qeveria tashmë kishte njohuri se katër markete dhe Lidhja e Odave Ekonomike ishin kapur si të organizuar për të ndikuar në çmime. Prandaj u vendos masa rigoroze e ngrirjes së marzhave për mbi 1.000 produkte.

Në mënyrë shtesë, Inspektorati i Tregut zbuloi fitime “mashallah” te disa markete, ndër të cilat edhe më të mëdhatë.

 “Pra, fjalë për fjalë, nga hyrja e një produkti të caktuar në kufi deri te rafti, mesatarisht le të themi është 70% marzhë bruto fitimi. Jam i vetëdijshëm që jemi treg i vogël, por 70 për qind është shumë”, ushpreh Vlatko Stojkoski, Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Në këtë periudhë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkoi rritje të pagës minimale për 6.000 denarë ose të arrinte 500 euro, ndërsa pagat e tjera për nga 100 euro. Thjesht, Shporta minimale sindikale po bëhej gjithnjë e më e shtrenjtë për qytetarët.

 “Deputetët kanë mundësi të jenë në nivelin e detyrës dhe në vend që të marrin nga 2.500 euro shpenzime udhëtimi, të votojnë për pagat e punëtorëve dhe ato të rriten për të paktën njëqind euro me lirimin nga pagesa e kontributeve. Sot ka ardhur koha të zgjidhni nëse jeni pro apo kundër punëtorëve. Zgjedhja juaj nëse jeni pro apo kundër punëtorëve do të përcaktojë drejtimin në të cilin Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do ta krijojë politikën në periudhën e ardhshme”

, tha Sllobodan Trendafillov.

Kjo për Qeverinë dhe për VMRO-DPMNE-në ishte si të tundësh flamur të kuq para demit. U hap një front mes këtyre dy partnerëve social. Qeveria e kontestoi shportën sindikale dhe paralajmëroi të sajën, mesatare, e ndryshoi ligjin për reprezentativitetin e sindikatave dhe e uli pragun nga 10 në 5 për qind dhe ngadalë e numëronte anëtarësinë sindikale, gjë që bllokoi punën e Këshillit Ekonomik Social, ku deri atëherë vetëm LSM kishte legjitimitet dhe ata duhej të jepnin mendim për harmonizimin e pagës minimale në mars.

Edhe pse u kontestua legjitimiteti i LSM-së, Qeveria pa mendimin e Këshillit Ekonomik Social e përcaktoi pagën minimale sipas dispozitave ligjore. Rritja ishte 1.800 denarë, duke arritur në 24.400 denarë.

“Vlerësojmë se gjithçka është e rregullt dhe ka bazë ligjore, ky është vetëm një ndryshim teknik sipas LMO – në Ligjin sa i përket shprehjeve. Megjithatë, e drejta ligjore e punëtorëve për të realizuar pagën minimale dhe mënyra e formimit të saj nuk jemi askush ta shkurtojmë, kjo tashmë është e paraparë dhe e buxhetuar si në buxhetet e institucioneve publike ashtu edhe në sektorin privat”, deklaroi Marjan Risteski, Zëvendësministër i ekonomisë dhe Punës.

Pas kësaj ndodhi protesta.

Në maj, sikur u mor frymë nga inflacioni. Gjatë kohës së masave, pra në mars dhe prill, ishte nën tre për qind. Gëzimi në Qeveri ishte i madh dhe për këtë arsye nuk u planifikuan masa të reja nga 1 maji.

Por gëzimi zgjati pak. Inflacioni i majit u përshpejtua, ndërsa ai i qershorit tashmë ishte seriozisht mbi katër për qind. Dhe për herë të parë, fillimisht ekonomistët, e më pas edhe kryeministri Hristijan Mickoski, folën se shkak i inflacionit të lartë nuk janë vetëm ushqimi dhe energjentët, por edhe inflacioni bazë, i cili i përjashton këto komponentë. Inflacioni bazë ishte më i lartë se inflacioni i përgjithshëm. Ekonomisti Abil Baush vlerëson se inflacionin e nxisin edhe faktorë të brendshëm, të mbështetur nga politika fiskale.

„Nëse ju kujtohet, ne e nisëm vitin me rritje të disa zërave të pagave dhe pensioneve. Dhe kjo menjëherë gjeneron në një afat të shkurtër, në baza mujore, mund të gjenerojë rritje të indikatorit të inflacionit“, tha Adil Baush, ekonomist.

„Kjo do të thotë se pagat e rritura në këtë rast dhe pensionet që u rritën nominalisht, krijojnë presion mbi kërkesën, pra kemi kërkesë të rritur dhe njerëzit mund ta paguajnë atë çmim për shërbimin“, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Edhe pse nuk pati masa direkte, megjithatë në shtator dhe tetor inflacioni bazë u ul, gjë që ishte sinjal i mirë. Por kjo zgjati deri në nëntor, kur inflacioni sërish u përshpejtua.

Përveç luftës me çmimet e larta, në vitin 2025 kishim edhe guvernator të ri të Bankës Qendrore. Zgjedhja e tij u vonua për shkak të një lëshimi të Kabinetit të Presidentit dhe dorëzimit jo në kohë të propozimit në Kuvend. Në lojë ishin Zoran Stavreski, Trajko Sllaveski dhe guvernatorja e atëhershme aktuale Anita Angellovska–Bezhovska. Fitoi Trajko Sllaveski.

Sllaveski si guvernator paralajmëroi të mos rritej paga minimale. Qëndrimi i Qeverisë për këtë çështje ishte identik dhe në vitin 2025 nuk pati rritje të minimaljes siç kërkonte Sindikata.

Guvernatori i ri, pas marrjes së detyrës, ndërmori disa hapa. U bëri thirrje bankave të ulin komisionet. Në të kundërtën, BPMV do t’i rregullonte me ligj.

Masa e dytë ishte pjesëmarrje më e vogël për blerjen e banesës/shtëpisë së parë, respektivisht vetëm 10 për qind e vlerës së kredisë.

 “Pres që bankat tona, në përputhje me praktikën e pranishme në një numër të madh vendesh në botë, t’u ofrojnë huamarrësve që për herë të parë blejnë banesë si vendbanim primar norma më të ulëta interesi për kreditë, kreditë banesore, në lartësi prej 0,5 deri në 0,75 pikë përqindjeje, gjë që do të rezultonte në kursime të shprehura në mijëra euro”, theksoi Trajko Sllavevski, guvernator.

Viti 2025 do të mbahet mend edhe për dy paradokse. Në tre muajt e parë dhe nëntë ditë u mblodhën madje 24,5 për qind e të ardhurave të planifikuara për vitin. Ose rreth 5 deri në 6 pikë përqindjeje mbi të planifikuarën.

 “Kemi rritje të arkëtimit në të ardhurat tatimore.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se arkëtojmë dividenda nga ato institucione që kanë pasur rezultate të mira në vitin 2023”, u shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska, Ministre e Financave.

Por viti u përmbyll sërish me më pak të ardhura të mbledhura, diku 7–8 pikë përqindjeje më pak, ose në buxhet mungonin nën gjysmë miliardi euro.

E dyta është se për herë të parë në opinion u përhap lajmi se thesari i Ministrisë së Financave do të mbyllej më 15 dhjetor. Kishte teori të ndryshme për këtë, por ai mbeti i hapur deri më 31.12.

„Kjo do të thotë që çdo institucion duhet t’i dorëzojë deri më 15-in, sepse më pas duhet të organizohemi që të mund të ndiqet pagesa deri më 31 dhjetor. Këtu duhet të përmend disa gjëra që nuk i kam futur unë si ministre e financave, por ekzistojnë nga e kaluara. Së pari, ka një udhëzim që në Thesar do të thotë se urdhërat qëndrojnë në Thesar për 15 ditë derisa të bëhen kontrolle shtesë, për të parë nëse janë të përshtatshme zërat e shpenzimeve, nga cilat programe, nënprograme e kështu me radhë“, pohoi Gordana Dimitrieska Koçoska, Ministre e Financave.

Në muajt e verës u miratua edhe ribalanci i buxhetit për vitin 2025, ku seriozisht u gabua lartësia e inflacionit, i cili nga parashikimi fillestar prej 2,2 u rrit në 2,8, që është larg rreth 4 për qind sa ishte realisht në vitin 2025.

U miratua edhe buxheti për këtë vit, i cili u lavdërua, por edhe u kritikua.

Viti 2025 do të mbahet mend edhe për faktin se çmimi i naftës së papërpunuar u stabilizua nga 60 deri në 65 dollarë për fuçi, por ndërkohë ari theu rekorde.

„Pritshmëritë e shumicës së shtëpive investuese që deri tani kanë publikuar parashikimet janë se, nëse kushtet nuk ndryshojnë ndjeshëm, sidomos në aspektin politik… në kushte tensionesh gjeopolitike, paqëndrueshmërish dhe niveleve të larta të borxheve, çmimi i arit në periudhën e ardhshme, vitin e ardhshëm, parashikohet të lëvizë në korniza prej katër, madje kishte edhe një parashikim të guximshëm nga Deutsche Bank deri në 5.000 dollarë“, u shpreh Goran Markovski, drejtor ekzekutiv i KB Invest..

Dhe në fund, nuk e harruam as bashkimin e kartelit dhe Ligjin për parandalimin e praktikave të padrejta tregtare që i përmendëm më herët.

Për sjelljen e marketeve, gjatë gjithë vitit pati deklarata negative nga Qeveria. Por Komisioni Antimonopol në fund i ndëshkoi simbolikisht me nga 50 mijë euro, ndonëse mund t’i kishte ndëshkuar edhe 10, 20 ose 30 herë më shumë. Gjoba ishte paralajmëruese.

 “Absolutisht, i ndjekim ato truke të disa marketeve. Nuk kalojnë pa u vënë re, por nuk do të dilja tani me ndonjë konstatim se çfarë më tej”, tha kryeministri Mickoski.

Siç duket, viti 2026 do të jetë i vështirë, sepse vitin e kaluar askush nuk raportoi mosrespektim të Ligjit për parandalimin e praktikave të padrejta tregtare.

 “Për fat të keq, deri në këtë moment kemi vetëm indikacione, askush nuk dëshiron të dëshmojë…

E nëse nuk ka bashkëpunim, atëherë kot do të jenë ndryshimet e Ligjit që u paralajmëruan”, theksoi Mickoski.

 “Vitit të ardhshëm tashmë do të ketë ndryshime të caktuara në disa pjesë të Ligjit për ta bërë më efikas, dhe një nga ato ndryshime mund t’ua zbuloj: rritje shumëfish e gjobës nga ajo që është paraparë në Ligj”, deklaroi zv/ministri Ristevski.

Kjo do të thotë se nga 20.000 euro sa janë tani, gjobat do të rriten në 200.000 euro për mosrespektim të Ligjit. Se ka mosrespektim, ka dëgjuar edhe kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski.

 “Më vijnë informacione të ndryshme, madje edhe kërcënime etj. Kemi edhe situata ku ata thonë: ne jemi tregtarë, ne jemi më të mençurit, do ta kthejmë punën në interesin tonë, e kështu me radhë. Megjithatë, roli im është të balancoj mes tyre, sidomos në situata të tilla, dhe mendoj se këtë do ta bëjmë në bazë të Ligjit dhe në bazë të deklaratës së Kryeministrit, i cili qartë tha se nuk do të ketë më ndërhyrje në kufizimin e kësaj”, tha Branko Azeski, Kryetar i Odës Ekonomike.

Neve na mbetet të shohim kush do të jetë më i mençur në këtë 2026. Tregtarët apo Qeveria. Ndërsa qytetarët, t’i përgjigjemi vetë vetes se çfarë do të jemi.