20 vjet zvarritje për gjimnazin “Sami Frashëri”/ Qeveria jep dritë jeshile, por kur do të hidhet themeli?

TË FUNDIT

Pas 20 viteve zvarritje të problemit me gjimnazin “Sami Frashëri” dhe hedhje të fajit mes institucioneve, më në fund Qeveria ka sjell vendim që të fillojnë aktivitetet për ndërtimin e një objektit krejtësisht të ri për gjimnazistët e Kumanovës. Objekti do të ndërtohet në oborrin e ish-kazermës së Kumanovës, parashihet që të ndërtimi të zgjasë 3 vite, ndërsa do të kushtojnë 120 milionë denarë.

Por kur do të hidhet themeli i këtij gjimnazi? Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri tha se po pret nga Komuna e Kumanovës po pret projektin urbanistik arkitektonik, ndërsa pas miratimit të saj menjeherë do të fillojnë procedurat tjera.

 “Kryetari i komunës së Kumanovës ka përshëndetur këtë vendim të Qeverisë dhe ka garantuar që së shpejti do të dorëzojë projektin pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në qoftë se projekti arrin gjatë këtij viti, menjëherë ne do të organizojmë të gjithë procedurën për të siguruar operatorin ekonomik për të realizuar atë projekt, pra për të njejtin gjimnaz”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.  

Përderisa 20 vite institucionet hidhnin fajin njëra-tjetrës, Aleanca për Shqiptarët kanë shkruar se që me ardhjen e tyre në pushtetin lokal në Kumanovë, prioritet kanë pasur zgjidhjen e problemit me gjimnazin “Sami Frashëri”.

“Premtuam se çështja e objektit të Gjimnazit “Sami Frashëri” do të jetë prioriteti kryesor dhe si të tillë e trajtuam që nga dita e parë e pushtetit lokal, duke i ndërmarrë të gjitha masat e duhura për përgatitjen e projektit dhe dokumentacionit teknik.  Falënderojmë kryetarin e komunës, Maksim Dimitrievski dhe këshillin komunal për mbështetjen e pa rezervë që kanë treguar në zgjidhjen e këtij problemi”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Pyetëm ministrin Shaqiri se kush është më meritori në zgjidhjen e kësaj problematike shumë vjecare.

“Nuk dua të ndaj se kush është meritori. Gjithë këto meritor që i përmendet, kanë një qëllim, nxënësit në shtatorin e ardhshëm duhet ti presim në objekt të ri shkollor. Tash po shihet se kush sjell vendimet. Unë përshëndeta edhe pushtetin lokal atje, për të mos identifikuar, por meritor nuk ka asnjë vetëm se ka ata të cilëve duhet të ja japim punën që të arrihet rezultati konkret sa më shpejtë”, theksoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Gjimnazi do të ndërtohet me mjete të buxhetit të Ministrisë së Arsimit. Përndryshe objekti aktual i gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë është ish-kombinat bujqësor.