Kjo është lagja 146 në Tetovë.
Para 20 vitesh këtu ka nisur një projekt për zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm, por assesi t’i vihet kapaku kësaj pune.
Banorët me ironi thonë se për 20 vjet edhe nga qielli tashmë do kishte zbritur projekti. Tashmë s’kanë as besim se do të bëhet!
Nga komuna e Tetovës thonë se punët do të fillojnë në mars, për të sjellë gypin kryesor nga stacioni filtrues deri tek baseni që është ndërtuar për lagjen 146.
-Rrjeti i ujësjellësit ka mbaruar, po ashtu edhe rezervuari është kryer që moti , ka ngelur vetëm çështja e tubacionit kryesor nga stacioni i filtrimit në Lisec deri në rezervuarin 146 dhe sigurisht nga ndërmarrja e ujësjellësit “Sharr” na informuam se për shkak të kohës së keqe nuk kanë pasur mundësi të punojnë në terren dhe sigurisht nga muaj mars me përmirësimin e motit do të fillohet të punohet edhe atje”, tha Besarta Ramadani – zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Në këtë lagje ka mbi 2 mijë shtëpi. Lagjja u zhvillua në mënyrë intensive pas vitit 2002, ndërsa që atëherë disa kryetar komunash kanë premtuar se do të rregullohet çështja e ujit, por deri më tani askush nuk e ka mbajtur premtimin.
