Lëvizja Besa do të kushtëzojë ndryshimet kushtetuese për inkuadrimin e bullgarëve në Kushtetutë me heqjen e 20 % si definicion për shqiptarët. Nga Besa kërkojnë që në te njëjtën procedurë të bëhet edhe ky ndryshim.
“Qëndrimi jonë si Lëvizje Besa është që 20% të hiqet nga Kushtetuta për arsye se ajo është ofenduese për ne si komb. Edhe nga regjistrimit i fundit doli rezultati se ne jemi më shumë dhe për këtë qëndrim ne do të vazhdojmë me forcat tona në parlament që të kërkojmë që të hiqet ky 20%. Qëndrimi ynë është ky, në momentin kur do të hapet Kushtetua për t’u përfshirë edhe bullgarët si kategori kushtetuese”, tha Blerim Sejdiu, nënkryetar i Lëvizjes Besa.
Ndërkaq për këtë çështje gjatës javës në vijim Lëvizja Besa po bën planet për ta thirrur edhe takimin e radhës në kuadër të tryezës së partive parlamentare shqiptare ku do të bisedohet për procesin e ndryshimeve kushtetuese, por deri tani ende nuk kanë ndonjë datë të caktuar për takimin.
“Është një temë që edhe në kryesinë e fundit është diskutuar dhe për cilën ne normalisht se do të kemi qëndrim edhe zyrtarë ditëve në vijim. Është një temë për të cilën ne kemi mendimet tona si parti politike, por ditëve në vazhdim do të kemi qëndrimin tonë zyrtarë”, pohoi Blerim Sejdiu, nënkryetar i Lëvizjes Besa.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët do të kushtëzojnë ndryshimet kushtetuese dhe janë të gatshëm të ulen në një tavolinë me liderët shqiptarë për të diskutuar mbi këtë çështje.
“Aleanca për Shqiptarët është angazhuar dhe do të angazhohet edhe në të ardhmen për të zgjidhur dhe hequr këtë narrativ fyes për Shqiptarët. Ne, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi bashkëpunues me të gjithë partitë politike me të vetmin qëllim, zgjidhjen e këtij problemi. U.D. Kryetar i ASH-së, Arben Taravari ju ka bërë thirrje të gjitha partive që të ulemi dhe ne jemi të gatshëm të ulemi një ditë e më parë, kur të jenë gati të gjithë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndërkaq dje kryeministri Kovaçevski nuk pohoi nëse pranon ose jo kërkesat e partive shqiptare për heqjen e 20% nga Kushtetuta në momentin kur do të përfshihen bullgarët në të. Shtoi se partitë nuk duhet të harrojnë se cili është qëllimi i hapjes së Kushtetutës, pra përshpejtimi i rrugës drejt BE-së. Sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, 20% në Kushtetutë nuk cenon substancën shqiptare në Maqedoni të Veriut, ndërsa shton se heqja e saj do të bëhet në momentin e duhur, por pa caktuar se kur konkretisht.
