2 të vrarë e dhjetëra të plagosur, arrestohet autori i sulmit terrorist në Oslo

TË FUNDIT

Policia norvegjeze ka arrestuar të shtunën një person për akte terroriste pas sulmit me armë në qendër të Oslos ku humbën jetën 2 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Autoritetet anuluan paradën e LGBTI+ pasi autori hapi zjarr mbrëmjen e së premtes në dy klube, njëri prej të cilëve frekuentohej nga komuniteti.

2 persona janë vrarë dhe të paktën 21 janë plagosur, 10 prej të cilëve në gjendje kritike.

I dyshuari është një 42-vjeçar norvegjez me prejardhje iraniane, thuhej në njoftimin e policisë.

“Ai dyshohet për vrasje, tentativë vrasje dhe akte terroriste”, deklaroi një zyrtar i policisë.

Policia e ka cilësuar ngjarjen si ‘akt terrorist’.

Autori hapi zjarr në një klub nate të komunitetit LGBTI+ në orët e para të së shtunës duke lënë të vdekur dy persona. Më pas ai zhvendos në një klub tjetër për të vazhduar sulmin.

Policia i ka kërkuar organizatorëve të anulojnë paradën për arsye sigurie.

“Pas këshillimit dhe rekomandimeve të qarta nga ana e policisë të gjitha aktivitetet e Paradës së Krenarisë së Oslos do të anulohen”, thuhej në faqen e organizatës në Facebook.

Policia ka shtuar prezencën në rrugë për të parandaluar incidente të tjera të mundshme.