Ka rreth dy muaj që po protestojnë për paga më të larta europiane dhe për shtesa, por kjo kërkesë nuk po u realizohet. Administrata gjyqësore sot protestën e vendosi para Këshillit gjyqësor si shenjë revolte për pagat e ulëta, e me ç ‘rast përfaqësues të Sindikatës u takuan edhe me kryetarin e Këshillit gjyqësor Sashko Georgiev. Georgiev pas takimit bëri thirrje që ministria e Financave ta merr për seriozisht problemin sepse do të ketë pasoja të mëdha nëse do të ketë bojkot të administratës gjyqësore.
“Pa këta kolegë, pa administratën gjyqësori do të ishte e bllokuar dhe nuk do të mund të funksiononte dhe punonte. I kuptoj shumë mirë dhe kanë mbështetjen time të plotë. U munduam disa herë si Këshill buxhetor ku bëmë lëshime në pjesën e investimeve kapitale ti ridestinojmë për një përqindje të shtesave, por as kjo nuk kaloi në ministrinë e Finansave.”- deklaroi Sashko Georgiev, Kryetar I Këshillit Gjyqësor.
Më parullën “Paga europiane për ju dhe për ne” do të vazhdohet protestat edhe ditëve në vijim. Kryetarja e Sindikatës së pavarur të administratës gjyqësore Jasmina Veliçkova tha se nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre.
“Kërkojmë rritje të pagave për 78% dhe shtesa prej 35%, gjegjësisht në ligjin për buxhet gjyqësor, në nenin 4 është e paraparë se për shkak të funksionimit të pushtetit gjyqësor vërtetohet shuma e më së paku 0.8% nga bruto prodhimi vendor. Në rast të rebalancit të buxhetit nuk mund të ulen mjetet që janë të dedikuara për financimin e gjyqësorit”- tha Jasmina Veliçkova, Sindikata e Pavarur e Administratës Gjyqësore.
Administratorët gjyqësore u ankuan edhe për mungesë të të punësuarve dhe vëllim të madh të punës. Me këtë gjë u pajtua edhe kryetari i Këshillit gjyqësor Georgiev i cili shpjegoi se ka ikje të madhe të të punësuarve nga vendi. Shtoi se edhe për këtë ka reaguar dhe pret që ky problem të zgjidhet.
“Janë paraparë vetëm punësime të rregullta për kolegët që dalin në pension, ndërsa përveç kësaj ne kemi situatë që kolegët ikin dhe një punëtorë do të bëj punën e tre punëtorëve, ndërsa nuk është paraparë punësim i ri”- tha Sashko Georgiev, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore dhe Sindikata e Pavarur e Shërbimit Gjyqësor, për herë të fundit protestuan më 13 korrik, me po të njëjtat kërkesa.