2 gushti, mesazhe nga Pelinca dhe Krusheva! Mickoski flet për bashkim, Filipçe për drejtësi dhe Evropë

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij nga Pelinca me rastin e 2 Gushtit, tha se Ilindeni nuk është vetëm një datë, por një amanet dhe karakter. Sipas tij, kjo ditë dëshmon se popujt mund të përballen me pushtime, sulme, tradhti dhe nënçmime, por nuk mund të nënshtrohen, pasi liria, siç u shpreh ai, fillon në zemrën e një populli dhe jo vetëm në kufijtë e një shteti. Mickoski vlerësoi se sot atdheu nuk është vendi dhe shteti për të cilin ëndërronin të parët, duke theksuar se beteja e kësaj gjenerate është pikërisht për ta rikthyer atë ideal.

 “Beteja e kësaj gjenerate është shpresa e fundit për të ardhmen e atdheut. Dhe nuk guxojmë dhe nuk mund të dështojmë. Beteja e kësaj gjenerate është vija e fundit dhe forca e rezistencës kundër shumë padrejtësive, kundër shumë vendimeve historike për të cilat, edhe pse nuk kemi ndikuar, ishin të gabuara dhe ndikuan tek ne. Sot e di se atdheu nuk është vendi dhe shteti për të cilin ëndërronin ilindenistët dhe asnomistët, por beteja jonë është pikërisht ta rikthejmë një atdhe të tillë”, tha Mickoski.

Mickoski kritikoi opozitën, duke vlerësuar se në vend të ideve ofron pesimizëm dhe ndarje. Ai tha se nuk do të pranojë, siç u shpreh, “tradhti në dëm të shtetit dhe popullit” dhe bëri thirrje për bashkim.

 “Të dashur miq, ju lutem mos bini në kurthin e mbeturinave që ata krijojnë. Kini kujdes dhe mos i besoni atij grumbulli dështimesh, cinizmi dhe urrejtjeje ndaj çdo gjëje që është e suksesshme. Gjenerata jonë ka obligim të luftojë për diçka po aq të rëndësishme – të ruajë shpirtin, të rikthejë besimin në institucionet, të rikthejë dinjitetin e njeriut të ndershëm dhe përsëri ta bëjë shpresën forcën më të madhe lëvizëse të shoqërisë sonë”, shtoi Mickoski.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga Krusheva, porositi se detyrë e gjeneratave të sotme është të vazhdojnë rrugën e ilindenistëve, ndërsa beteja aktuale, sipas tij, është për jetë me dinjitet, drejtësi, sundim të ligjit dhe një të ardhme evropiane për Maqedoninë.

 “Prandaj ne luftojmë për një Maqedoni ku sundon ligji, e jo interesi partiak. Për një Maqedoni ku ka ujë të pastër, paga dinjitoze dhe perspektivë për të rinjtë. Për një Maqedoni që është pjesë e familjes evropiane, e lirë, demokratike dhe prosperuese. Ilindenistët luftuan kundër tiranisë së kohës së tyre. Sot beteja jonë është kundër korrupsionit, kundër izolimit dhe kundër patriotizmit të rremë që e mban shtetin në vend”, deklaroi Filipçe.

Filipçe theksoi se idealet për të cilat luftuan ilindenistët mbeten edhe sot udhërrëfyes për zhvillimin e shtetit dhe obligim për gjeneratat aktuale që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Sipas tij, respekti i vërtetë për Ilindenin nuk është vetëm kujtimi i së kaluarës, por edhe krijimi i një shteti ku qytetarët do të kenë siguri, dinjitet dhe perspektivë.