Në 24 orët e fundit janë shënuar 185 raste të reja të të infektuarve me COVID-19, nga gjithsej 1364 teste të bëra. Më shumë të infektuar ka sërish në Shkup edhe atë 96 raste të reja. Virusi është kthyer edhe në Dibër kur janë regjistruar 18 raste. Në qytetet tjera: Strugë 20, Tetovë 14, Resnjë 8, Ohër 7, Shtip 4, Kërçovë 3. Nga dy të infektuar ka në Kumanovë, Veles, Manastir, Kavadar, Gostivar dhe Shën Nikollë, ndërsa nga një rast i ri është regjistruar në Prilep, Kriva Pallankë dhe Probishtip.
Gjatë 24 orëve të fundit 11 pacientë kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit korona. Ministria e Shëndetësisë informon se 8 nga viktimat janë nga Shkupi, një nga Kumanova, një nga Shtipi dhe një viktimë nga Tetova.
Ndryshe në mes 185 rasteve të reja ka dal i infektuar edhe Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov. Këtë e bëri të ditur përmes një statusi në Facebook.
“Dëshiroj t’ju informoj se përkundër të gjitha masave të marra nga unë për mbrojtjen time dhe mbrojtjen e njerëzve përreth meje, unë përsëri nuk arrita të mbroj veten nga Covid-19.
Sinqerisht shpresoj se nuk e kam transmetuar virusin askujt.
Testimi i sotëm doli me rezultat pozitiv. Pasqyra klinike është e mirë, me pak temperaturë të ngritur dhe nuk pa nevojë për shtrirje në spital”, ka shkruar Shilegov.
E infektuar me Covid-19 ka dalë edhe nëna e liderit të VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski. Këtë e konfirmoi vetë kryetari i opozitares Mickoski, i cili tha se nëna e tij është e izoluar në shtëpinë e saj dhe se ai nuk ka pasur kontakt.
“Marrë parasysh paaftësinë e Qeverisë, paaftësinë e ministrit të Shëndetësisë që të përballet me pandeminë, virusi në bazë ditore është gjithnjë e më present mes nesh. Ky është një motiv më shumë për mua që të dal deri me 15 korrik me qytetarët, që t’i bind që me 15 korrik ta mposhtin këtë qeveri të paaftë. Të udhëhequr nga LSDM dhe Zoran Zaev”, deklaroi Mickovski.
Përveç qytetarëve dhe politikanëve, virusi korona vazhdon të sulmojë punonjësit shëndetësor.
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, aktualisht ka 185 punonjës shëndetësorë të infektuar me Covid-19.
Ndryshe në shërbim të pacientëve me Covid-19 Ministria e Shëndetësisë ka vendosur edhe Spitalin e sëmundjeve të mushkërive “Kozle”. Meqë janë mbushur kapacitetet në SPQ “8 Shtatori” dhe kliniken infektive pacientët do të trajtohen në “Kozle” apo Qendrën Covid2.
