Vendi dhe Ballkani kujtojnë Toshe Proeskin, i cili në këtë ditë, tetëmbëdhjetë vjet më parë, humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku pranë Nova Gradishkës, rrugës për në Zagreb.
Një nga mënyrat tradicionale për ta kujtuar artistin e madh është maratona përkujtimore, që çdo vit zhvillohet nga Nova Gradishka deri në Krushevë. Edhe këtë vit, katërmbëdhjetë maratonistë po vrapojnë në edicionin e 18-të të maratonës në nder të Toshes.
Maratona nisi nga memoriali i tij në Nova Gradishka dhe pritet të përfundojë sot, në përvjetorin e vdekjes së tij, në Krushevë, në memorialin e Gumenjës, aty ku prehet përgjithmonë Toshe Proeski.
Jeta e Toshes përfundoi në vitin kur ai shënonte një dekadë të plotë karriere të suksesshme, e cila sapo kishte nisur të merrte përmasa ndërkombëtare. Albumi i tij në anglisht, The Hardest Thing, që po e përgatiste atëherë, u publikua pas vdekjes.
Todor Proeski – Toshe lindi më 25 janar 1981 dhe talentin muzikor e shfaqi që në klasën e pestë, në festivalin “Bilbili i Artë” (1992), ku këndoi një këngë në gjuhën vllahe.
Karrierën profesionale e nisi me fitoren në “Melfest” në Prilep (1997), pas së cilës mori pjesë në të gjitha festivalet më të rëndësishme në vend dhe rajon. Në vitin 2004, ai përfaqësoi Maqedoninë në Eurovision në Stamboll dhe atë vit u shpall edhe ambasador i UNICEF-it.
Gjatë jetës botoi shtatë albume, disa prej tyre të përkthyera edhe në gjuhët serbe dhe kroate. Albumi i fundit, Lojëra pa kufij, u promovua dy javë para aksidentit, ndërsa koncerti i tij i fundit, me karakter humanitar dhe që synonte përmirësimin e kushteve në arsim në Maqedoni, u mbajt në Stadiumin e Qytetit më 5 tetor 2007.