17 ministra u ndërruan, spitali nuk u ndërtua / Në 1985 filluan punimet, spitali në Kërçovë assesi të përfundojë

TË FUNDIT

17 ministra të shëndetësisë janë ndërruar që kur ka filluar të ndërtohet spitali i ri i Kërçovës. Ministrat e 5 viteve të fundit kanë dhënë premtime pa fund, duke filluar nga Nikolla Todorov e deri te ministri aktual Fatmir Mexhiti.


Vizita e parë e ministrit të shëndetësisë në këtë spital është bërë në vitin 1998 nga Dragan Daniellovski, 13 vjet pasi kishte filluar ndërtimi.


Nga viti 1998 e deri në vitin 2015 objekti mbeti në fazën karabinë, e në vitin 2015 kur ministër i shëndetësisë ishte Nikolla Todorov në Kërçovë për vizitë erdhi sekretari i ministrisë së shëndetësisë Nasuf Ipçja, i cili premtoi nisjen e punimeve duke thënë se në 2017 do të kryhet.


“Faza e parë e projektimit dhe ndërtimit të spitalit bashkë me rikonstruimin e objektit aktual është dhjetori. Ndërsa ne kemi në përgatitje e sipër shpalljen e dytë të tenderimit që do të duhet ta kompletojmë për ta vu në funksion spitalin në 2017”, Nasuf Ipçja –Sekretar shtetëror i ministrisë së Shëndetësisë.
E në vitin 2017 erdhi ministri i radhës Arben Taravari, i cili dha një afat tjetër për ndërtim deri në vitin 2019.


“Garnitura udhëheqëse 15 vjeçare e fundit nga pala shqiptare kanë qenë të Kërçovës dhe fatkeqësisht ky objekt nuk është krye, këtu kam ardhur të tregoj se janë ndarë mjete që në vitin 2018 dhe në vitin 2019 të kryhet ky objekt diku në mars ose prill të vitit 2019 dhe i gjithë spitali i Kërçovës të hyje në objektin e ri”, tha Arben Taravari, ish minister i Shëndetësisë.
Premtimet nuk përfunduan këtu sepse para zgjedhjeve çdo ministër e kryeministër vinte për tu fotografuar. E i radhës që disa herë e premtoi përfundimin e këtij spitali ishte Venko Filipçe.


“Fillojnë me punë edhe punëtorët në spitalin e ri fillon faza e dytë, ne e lajmëruam para disa muajve dhe me përfundimin e fazës së dytë ne e rrumbullakojmë procesin e përgjithshëm”, tha Venko Filipçe, ish ministër i Shëndetësisë.


Asnjëri nga këto ministra nuk e bëri të mundur përfundimin e spitalit të ri të Kërçovës. Por premtimet vazhduan kësaj radhe nga ish ministri Bekim Sali në mars të vitit 2022. Ai këtë projekt e quajti sfidë, por që nuk bëri asgjë…

“Të dhënat e mija flasin se atje po punohet, por dinamika e zhvillimit të punimeve ndërtimore nuk është në nivelin e duhur, unë ende nuk kam arritur ta vizitoj atë spital, natyrisht se është një prej prioriteteve të mija që spitali i Kërçovës ta fitojë ndriçimin e parë dhe funksionimin e tij të parë, natyrisht është një sfidë për mua” , tha Bekim Sali, ish ministër i Shëndetësis.

E i fundit ministër që pak ditë më parë dha edhe një premtim është ministri aktual Fatmir Mexhiti.

“Ne jemi në bisedime dhe do të bëjmë çmos që ky spital të filloj, faktikisht të rindërtohet, janë bërë disa punime, një pjesë janë dëmtuar siç i kam informatat, por ne do të bëjmë çmos që këtë spital ta bëjmë realitet për një kohë të shkurtër”, tha Fatmir Mexhiti, ministë i Shëndetësisë.

Ndoshta nuk është për tu besuar, por është fakt që ky spital ka nisuar të ndërtohet në vitin 1985.

Ndryshe spitali i vjetër i Kërçovës funksionon në kushte të këqija dhe me aparatura të kohës së ish-Jugosllavisë, ndërsa çdo vite po mbyllet nga një repart për shkak të mungesës së mjekëve.