160 milion euro peshon pakoja e pestë ekonomike!

TË FUNDIT

29 masa të ndara në 4 shtylla, në vlerë prej 160 milion euro. Kështu Qeveria përmes pakos së pestë të masave ekonomike do ta “shpëtojë” shtetin nga korona kriza.

 “Masa e parë është ndihmë financiare për të punësuarit në lartësi prej 1 miliard e 520 milion denarëve për muajt shkurt dhe mars 2021, ku janë përfshirë rreth 60 mijë të punësuar në muaj”, tha Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Mbështetja financiare do të jetë në nivele në vlerë prej 14 500 deri në 21 776 denarë për pagën mesatare për një të punësuar që të mbështeten vendet e punës në kompanitë vendase, varësisht asaj se sa kompania ka rënie të të ardhurave.

Shtylla e dytë është për likuiditetin – kredi pa shkallë interesi në të cilat do të ketë edhe komponent të pakthyeshme. Shtylla e tretë është për krijimin e ambientit të favorshëm afarist me ripërcaktim sistematik, ulje të shpenzimeve parafiskale, ndërsa shtylla e katërt është mbështetja e qytetarëve.

Për opozitën kjo është vetëm edhe një vjedhje e re e shtetit, siç thotë lideri i DPMNE, Hristijan Mickoski.

 “Askund nuk pash realizim intensiv i investimeve kapitale që është me rëndësi thelbësore, nuk shihet se ku po ndërtohen rrugë, ku po rinovohen spitale, ku investohet në kanalizim dhe ujësjellës, teatro, institucione kulturore. Realizimin e investimeve kapitale nuk po e shohim askund që është bazë për rritje ekonomike dhe mbështetje e ekonomisë dhe biznesit”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Zaev thotë se masat janë sjellë nëpërmjet dialogut me palët e interesuara dhe drejtpërdrejtë lidhen me katër pakot e mëparshme ekonomike.

Pjesa më e madhe e masave për mbështetje do të shfrytëzohen deri në fund të vitit 2021.