“16.300 denarë paga fillestare në polici”/ Sindikata e policisë kërkon rritje për 15%

TË FUNDIT

Sindikata e Policisë së Maqedonisë ankohet për pagat e policëve, për shkak se siç thonë rroga fillestare është 16.300 denarë. Orce Kocevski kryetar i kësaj sindikate kërkon që nga muaji janar 2024, pagat të rriten për 15 për qind, për të gjithë punonjësit e policisë.

“Si sindikatë më herët kemi kërkuar të publikojnë shumën e pagës fillestare në mënyrë që anëtarët e tyre të dinë sa është paga bazë e policisë në MPB. Por nuk kemi marrë përgjigje deri sot, dhe ndoshta nuk do të marrim sepse shuma e pagës bazë të një polici për momentin është as më pak e as më shumë se 16.300 denarë. Sot si sindikatë publikisht dërgojmë kërkesë deri te ministri që prej muajit janar 2024, pagat e të gjithë punonjësve në MPB të rriten për 15%”, tha Orce Kocevski, kryetar i Sindikatës të Policisë.

Të pyetur rreth kësaj çështjeje, nga Ministrinë e Punëve të Brendshme për TV21 thanë se pagat janë  rritur për 35% dhe se po marrin vazhdimisht masa në këtë drejtim.

“MPB po merr vazhdimisht masa në këtë drejtim. Në shtatë vite, pagat e punonjësve të MPB-së u rritën me 35%, përmes pesë rritjes së pagave për të gjithë, por edhe 4 rritjeve shtesë për kategori të caktuara vendesh pune, si dhe gjashtë pagave të paguara rregullisht me bonus, me qëllimin e vetëm – që policia të jetë e kënaqur dhe e motivuar që garanton sigurinë e qytetarëve”, thonë nga MPB.

Kur kryetar i sindikatës të policisë Kocevski u pyet se si e komenton rritjen e pagave për 35% të punonjësve policorë, tha se nuk e di dhe nuk tregoi nëse kjo është e vërtetë apo jo, por vetëm shtoi se policët në të kaluarën kanë jetuar më mirë në krahasim me tani.