Maqedonia shënon 150-vjetorin e lindjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçevit. Në Kishën “Shën Spase” u mbajt ceremoni përkujtimore, kurse shumë delegacione dhe organizata bënë homazhe te varri i Dellçevit.
Me të mbërritur, delegacioni qeveritar dhe presidencial i udhëhequr nga Pendarovski u brohoritën para hyrjes së kishën “Shën Spase”.
Pendarovski nuk deshi të komentojë asgjë, vetëm tha se jemi shtet i lirë dhe se secili ka të drejtë shprehjeje.
“Reagimi është logjik dhe normal në një demokraci. Nuk do t’i mbyllim njerëzit vetëm për shkak se shprehin pakënaqësi ose kënaqësi për hapat tanë. Për këtë jemi duke luftuar, të jetojmë në shtet demokratik, e jo në shtet ku çdo fjalë apo qëndrim që shprehet në ndonjë media ose në opinion publik…. tamam puna. Ne jemi këtu, ne paguhemi që të durojmë çdo kritikë me apo pa bazë nga qytetarët tanë. Mua më vjen mirë që shoh edhe reagime të këtilla”, deklaroi Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut.
Përndryshe te varri, lule vendosi edhe kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski me delegacion partiak.
“Shënojmë 150 vjet nga lindja e veprimtarit të madh maqedonas Gjorgi Dellçev i cili ka lënë gjurma të mëdha për ne maqedonasit, për Maqedoninë, me veprën dhe luftën e tij për shtet maqedonas të pavarur dhe sovran në zemrën e Ballkanit. Na ka lënë amanet që ta ruajmë, kultivojmë dhe zhvillojmë që gjeneratat e ardhshme ta kenë kujtimin e veprës së tij të madhe”, u shpreh Mickoski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski i dërgoi mesazh nga Brukseli ku është në vizitë zyrtare.
“Si frymëzues dhe prirës i organizatës revolucionare maqedonase, Goce Dellçev çdo herë bënte thirrje për unitet dhe bashkim të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, etnike ose politike, në sfidat politike para të cilave u gjend çështja për krijimin e shtetit të pavarur. Goce Dellçev në nivel më të lartë e ngriti kuptimin e tij internacional dhe kozmopolit me fjalët “Unë e kuptoj botën si fushë për garë kulturore mes popujve”, deklaroi Kovaçevski.
Te varri i Goce Dellçevit ishte edhe delegacion nga Bullgaria i udhëhequr nga ministrja bullgare e kulturës, Teodora Gençovska.
