Ndihma e shpejtë nga Kavadari arriti në spitalin modular të vendosur pranë Klinikës infektive në Shkup.
Që dje po mbushet dhe ky objekt i montuar i destinuar për pacientët të infektuar me Kovid-19. Ka 15 pacientë të cilët janë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë.
“Spitali modular ka kapacitet prej 70 shtretërve, për momentin ka 15 pacient”, tha Milena Stevanoviq – Drejtore e Klinikës Infektive.
Në klinikën infektive janë të hospitalizuar 99 pacientë, prej të cilëve 67 janë në oksigjen. Stevanoviq me porosi deri te qytetarët që të respektojnë masat për shkak se po mbushen kapacitetet e spitaleve. Ajo shtoi se qytetarët që nuk kanë simptoma të mos bëjnë panik.
“Të gjithë ata që nuk kanë simptome, rekomandohet që të qëndrojnë në shtëpi, të izolohen dhe me terapi vitaminash. Ashtu siç u rekomandojnë mjekët amë. Me këto njoftime nga ju, te qytetarët rritet në mënyrë dramatike frika. Mos i stërmbushni institucionet shëndetësore, të gjithë që nuk kanë simptome ose kanë simptome të lehta le të qëndrojnë në shtëpi”, u shpreh Milena Stevanoviq – Drejtore e Klinikës Infektive.
Deputeti Arben Zyberi për TV21 tregoi për vështirësitë gjatë shërimit nga virusi. Ai u porosit qytetarëve që të mbrohen veten dhe njerëzit rreth tyre.
“Unë e kam kaluar virusin dhe e kam kaluar shumë keq. Kam qëndruar disa ditë në spital. Duhet të kemi kujdes dhe ti respektojmë masat të cilat janë në fuqi. Bile këtë periudhë kur pritet gripi sezonal të kemi kujdes të mos grumbullohemi në ambiente të mbyllura të mbajmë maska dhe pa nevojë mos të dalim të shëtisim”, deklaroi Arben Zyberi – deputet.
Venko Filipçe dje për mediat tha se pasi mbushen kapacitetet spitalore, në vend do të shpallet orë policore. Ditëve të fundit ka rritje drastike të të infektuarve me Kovid-19 dhe të hospitalizuarëve nëpër spitalet. Në shumicën e qyteteve të tjera tashmë nuk ka vende të lira për pacientë të rinj me Kovid-19.
