15 muaj burg për anesteziologun Tik-Tok-er! Dervishi e pranoi fajin dhe pendohet për atë që ka bërë

TË FUNDIT

Një vit e tre muaj burg i shqiptoi Gjykata e Tetovës anesteziologut Valton Dervishi, i cili publikoi video në rrjetin e tij TikTok, nga salla e intervenimeve në repartin e gjinekologjisë në Tetovë. Dervishi e pranoi fajin dhe po ashtu u kërkoi falje publike kolegëve dhe pacientëve për veprën e kryer. Deklaroi se nuk ka vepruar me paramendim për të publikuar videon apo për të përfituar materialisht nga kjo gjë.

“I pranoj veprat penale dhe pendohem për atë që kam bërë. Kërko falje sepse veprën nuk e kam bërë me tendencë dhe për ndonjë përfitim. Paraburgimin e kam të vështirë për shkak të gjendjes shëndetësore”, tha Valton Dervishi, i dënuar.

Duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese, i dënuari Valton Dervishi, për veprën penale “punë e pandërgjegjshme gjatë shërbimit”, u dënua me një vit burg ndërsa për veprën penale “incizim i pa autorizuar”, është dënuar me 5 muaj burg duke llogaritur edhe periudhën e kaluar në paraburgim.

Mesatarja e dënimit të caktuar nga gjykatësi ishte 13 muaj burg. Po ashtu duke pasur parasysh situatën e rënduar psikologjike dhe gjendjen jo të mirë shëndetësore, gjykatësi ka vendosur edhe daljen e Dervishit nga paraburgimi dhe zëvendësimin me burg shtëpiak, deri në plotfuqinë e vendimit të sotëm të gjyqit, për të cilin ka të drejtën e ankesës në shkallën e dytë në afat prej tetë ditësh.

Përndryshe, anesteziologu Valton Dervishi, më 14 prill, derisa ka qenë në krye të detyrës në repartin e intervenimeve në gjinekologjinë e Tetovës, ka hyrë “live” në Tik Tok, duke shfaqur pacientët por edhe personelin mjekësor. Ky publikim alarmoi drejtuesin e Spitalit klinik të Tetovës, Pëllumb Vela dhe i njëjti rastin e denoncoi në polici, ndërsa disa orë më vonë, Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, e arrestoi anesteziologun. Një ditë më vonë Ministri i Shëndetësisë dhe Drejtori i Spitalit e pushuan nga puna Dervishi, ndërsa Dhoma e mjekëve ia mori licencën për 7 vjet.