13 fëmijë dhe 1 edukatore izolohen, Shahpaska: “Gjërat janë ende nën kontrollë”

TË FUNDIT

Një edukatore dhe 13 fëmijë të moshës parashkollorë janë futur në izolim, pasi u konfirmua se edukatorja e grupit është pozitive me korona virus. Bëhet fjalë për kopshtin “Koca Vasilleva” në Manastir. Në këtë kopsht tre javë më parë kishte një rast tjetër të një kujdestareje pozitive me Covid-19, me çka pesë fëmijë dhe pesë punonjës ishin në izolim. Ministrja për politikë sociale Jagoda Shahpaska tha se çerdhet do të vazhdojnë me punë dhe se gjithçka është nën kontroll.

 “Kishim një situatë me fëmijë të cilët kanë pasur kontakt ndoshta me familijarët e tyre me persona pozitiv. Por me kujdes po e përcjellim situatën. Gjendja shëndetësore e gjithë fëmijëve të cilët ishin 4 apo 5, në javët e kaluara që ishin në izolim, gjendja shëndetësore e tyre është e mirë. I gjithë personeli që ka qenë në kontakt në disa raste të veçuara në disa objekte vetëm një kujdestar është i hospitalizuar. Situata ende është nën kontroll”, tha Jagoda Shahpaska – Ministre për Punë dhe Politike Sociale.

Ndërsa 4 pacientë të prekur me virusin korona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Shëndetësisë informon se në 24 orët e fundit janë kryer 387 testime nga të cilat 48 kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 61 pacientë të shëruar Drejtori i qendrës publike Shkup Aleksandar Stojanov thotë se aty ku respektohen masat bie edhe numri i të infektuarve.

 “Ku ka të infektuar aty nuk janë respektuar masat. Aty ku ka më pak të infektuar aty janë respektuar masat. Por këtu ndikon edhe dendësia e qytetarëve në komuna .Para disa muajve Çairi ishte në vendin e parë, tash Çairi ka nën 70 ndërsa Qendra mbi 80. Ndërsa para kësaj ishte e kundërta”, theksoi Aleksandar Stojanov – Drejtor në Qendrën për Shëndet Publik.

Numri total i të diagnostikuarve me virusin korona në vendin tonë është 17.674. Aktualisht numri i rasteve aktive është 2303 të infektuar.