12,500 persona kanë humbur vendet e punës si pasojë e krizës që ka sjellë pandemia, tregon raporti i fundit ekonomik i Qeverisë. Këtë për TV21 e zbuloi zëvendëskryeministri për ekonomi Fatmir Bytyqi.
“Informata e fundit prej para 3 ditësh është që me përmbzlljen e muajit gusht për shkak të pandemisë kovid në Maqedoni kemi 12 mijë e 500 vende pune të humbura”, tha në emisioni EuClick në TV21, Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministër për Ekonomi.
Me masën për pagë minimale prej 14,500 denarëve, Bytyqi pohon se janë shpëtuar rreth 140 mijë vende pune të sektorit privat. Tregon po ashtu se raporti për katërmujorin e dytë të 2020 nuk ka lajme të mira për ekonominë e vendit.
“Realisht çereku i dytë është goxha i keq, në kuptimin që kemi rënie prej minus 12.7% të BPV-së. Projektimi ynë ishte që ne do të kemi një rënie diku 15%, tani duke e krahasur me lëvizjet ose rritjen dhe uljen tek shtetet e BE-së, por edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, mendoj se jemi diku shumë më afër shteteve të zhvilluara”, u shpreh zëvendëskryeministri për Ekonomi, Fatmir Bytyqi.
Qeveria tashmë po përgatit pakon e katërt me masa antikrizë. Se sa do të peshojë kjo pako, Bytyqi nuk dha numra konkret, sepse siç thotë, ende po bëhen planifikimet buxhetore. Të njëjtën e pohon edhe Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke shtuar se Ministria e Ekonomisë ende po realizon masat e pakos së 3-të.
“Pakoja e tretë e masave ekonomike ka tejkaluar mbi 300 milion euro. Unë jam i bindur se edhe ato çka janë planifikuar të fillojnë gjatë muajit shtator dhe tetor, pra bëhet fjalë për një shumë mbi 550 milion euro të dedikuara për biznesin në RMV. Me siguri që të gjitha masat nuk janë realizuar 100% për shkak se kemi të bëjmë me masa të cilat në mënyrë transparente realizohen dhe nga ana e qytetarëve është mundësia që ti shfrytëzojnë ose jo, siç ishte rasti me kartelat pagesore”, theksoi Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
E deri sa zëvendëskryeministri i ri dhe ministri i ekonomisë lëvdohen me ato që ka ndërmarrë qeveria për të shpëtuar biznesin, Kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike, Danella Arovska, nuk është e kënaqur me ndihmat për kompanitë, gjendja e të cilave thotë se është përkeqësuar dukshëm.
“Për 3 pakot e para ajo që e kishim si vërejtje është se shuma e ndarë, nuk po flas për mjetet që kanë shkuar në llogaritë e qytetarëve, por shuma që vinte direkt tek llogaritë e ndërmarrjeve, ishte shumë me të vërtetë e vogël në krahasim me pakot që i ofronin jo vetëm vendet e rajonit por në përgjithësi në nivel botëror. Sipas shumës në përqindje nga BPV-ja kishim pakon më të vogël por shpresojmë se me pakon e 4 të masave kjo do të korrigjohet”, potencoi Danella Arsovska, Kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike.
Biznesi është prekur aq shumë nga kriza e pandemisë sa që nuk janë në gjendje t’i mbulojnë as harxhimet mujore, ndërsa thellohen në borxhe, pohon Arsovska, duke shtuar se pret që me pakon e 4-t antikrizë kompanive t’u mundësohet të marrim mbështetje direkte financiare, sidomos ato që janë mbyllur me detyrim, ndërsa të mundësohen po ashtu edhe kredi pa kamatë.
